Part-time, si do të ndahen kuotat midis fakultetit të parë dhe të dytë
Gara për të fituar të drejtën e nisjes së fakultetit të dytë, sipas sistemit të pjesshëm të studimeve do të jetë e ashpër. Kjo për arsye se kërkesat e kandidatëve për të marrë një diplomë të dytë në xhep janë tepër të larta, krahasuar me kuotat që qeveria ka vënë në dispozicion për program të dytë studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme. Për rrjedhojë, megjithëse numri total i kuotave të pranimit për çdo degë për studimet e pjesshme është i konsiderueshëm, kandidatëve për fakultet të dytë u është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 20 për qind të numrit total të pranimeve. Ndërkohë që kërkesat e kandidatëve për të vazhduar një fakultet të dytë me kohë të pjesshme janë tepër të larta, ndërsa mundësitë që të pranohen të gjithë nuk ekzistojnë.
Kështu, sipas kushtit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, kuota e çdo programi studimi do të ndahet në raportin 4:1, përkatësisht 80% e kuotës jepet për pranimet e reja për programe studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe 20% për pranimet e reja për programe të dyta studimi. Kjo do të thotë se për çdo fakultet pjesa më e madhe e kuotave do t’u takojë atyre kandidatëve që nisin për herë të parë studimet e larta.
Më konkretisht, nëse marrin rastin e Fakultetit të Drejtësisë, për të cilin janë miratuar 250 kuota pranimi, nga këto 200 do të jenë për fakultet të parë, ndërsa 50 për fakultet të dytë. Ndërkohë që të njëjtin rregull për ndarjen e kuotave të pranimit në studimet e pjesshme do të respektojnë edhe fakultetet e tjera të vendit, të cilat pjesën më të madhe të kuotave do t’ua lënë kandidatëve që për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të vijojnë shkollën e lartë. Studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit të ri akademik do të mund t’i ndjekin 9 mijë studentë. Qeveria ka miratuar të mërkurën vendimin “Për kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe tarifat e shkollimit për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë për vitin akademik 2011-2012”. Sipas këtij vendimi, numri total i kuotave për studimet part-time, gjatë vitit të ri akademik, do të jetë 9010 kuota pranimi, nga të cilat 8610 do të jenë për studentët nga brenda vendit dhe 400 për ata që vijnë nga trojet, dhe të huajt. Krahasuar me një vit më parë, kuota e pranimit për studimet e pjesshme është rritur me 940 studentë më shumë, ose 8%. Si gjithmonë, edhe për këtë sistem studimi, pjesa më e madhe kuotave do të jenë për Universitetin e Tiranës, 2210 të tilla; kjo jo vetëm për mundësitë më të mëdha që ai ofron për part-time, por edhe për shkak të kërkesave në rritje të të rinjve. Tashmë, pas miratimit të kuotave dhe tarifave të studimit, çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron Diplomën e Maturës apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë. Ndërsa, aplikantët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, brenda kuotës së përcaktuar, e fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë. Mesatarja e shkollës së mesme do të jetë një ndër kriteret kryesore që komisionet e përzgjedhjes do të marrin parasysh në përcaktimin kandidatëve fitues. Ky rregull do të jetë i vlefshëm për të gjithë aplikantët që do të konkurrojnë për studimet e pjesshme, qoftë si program i parë studimi apo i dytë. Për rrjedhojë, kandidatët që nuk kanë një notë të mirë mesatare do ta kenë tejet të vështirë për të ndjekur studimet e pjesshme këtë vit. Bazuar në kriterin e mesatares dhe saktësisë së dokumenteve të paraqitura, fakultetet do të përcaktojnë emrat e fituesve në rend zbritës, sipas notës mesatare, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar. Përsa i përket kandidatëve që kërkojnë të vazhdojnë studimet e pjesshme për fakultet të dytë, këtë vit, drejtuesit e arsimit kanë vendosur që të ndryshojnë kriterin e mesatares. Kështu, ndërsa më parë një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve ishte që nota mesatare e fakultetit të parë duhet të ishte mbi tetë, këtë vit jo me patjetër do të merret në konsideratë vetëm kjo e fundit.
Dokumentet e aplikimit
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme do të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
Fotokopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë të shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të.
Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit, ose e pasaportës.
Dy fotografi.
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë.
Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme.
Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar e barasvlershme me të.
Rriten me 4% tarifat, kategoritë që përjashtohen
Sikurse kuotat, në vitin e ri akademik, për sistemin me kohë të pjesshme do të ndryshojnë edhe tarifat e studimit, që pritet të pësojnë rritje. Propozohet që tarifat të rriten me 4% nga ato ekzistuese, por sipas ekspertëve të arsimit kjo shtesë ka të bëjë me inflacionin. Të mërkurën e kësaj jave qeveria ka miratuar edhe tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2011-2012. Po ashtu janë përcaktuar edhe tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë, në programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2011-2012. Sipas vendimit të qeverisë, përjashtohen nga tarifa e shkollimit aplikantët që fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2011-2012, të cilët u përkasin këtyre kategorive sociale: të verbrit, të shurdhrit, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, fëmijë të ish-të përndjekurve politikë, fëmijë romë dhe ballkano-egjiptianë. Këtë të drejtë e kanë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit, të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës.