E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Shkurtimi i buxhetit do të rrisë papunësinë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 02-09-2011 10:04

Banka e Shqipërisë ka njoftuar një periudhë të vështirë për punësimin në vend. Shkurtimi i shpenzimeve të qeverisë, sipas Bankës, do të ulë investimet dhe për pasojë edhe punësimin

Të papunët pritet të rriten gjatë kësaj periudhe deri në fund të vitit. Banka e Shqipërisë vëren se shkurtimi shpenzimeve buxhetore me 18 miliardë lekë do të ndikojë ekonominë e vendit në disa linja. Ndër të tjera është edhe punësimi. Duke qenë se buxheti i shtetit është shkurtuar me 18 miliardë lekë, firmat e ndërtimit dhe të tjera sipërmarrëse do të kenë më pak kontraktime me shtetin dhe për pasojë vendet e punës do të shkurtohen. Kjo tashmë është faktuar, pasi me një vendim të veçantë qeveria ka mbyllur të gjitha prokurimet, të cilat nuk janë kontraktuar deri para 1 gushtit. “Për shtatëmujorin shpenzimet buxhetore janë rritur me 5.9% në terma vjetorë. Në të njëjtën kohë, ecuria e të ardhurave fiskale ka qenë më e ngadaltë, e shprehur kjo me rritjen vjetore të tyre prej 2.3%. Kjo sjellje e të ardhurave dhe shpenzimeve është materializuar me një deficit buxhetor më të lartë se një vit më parë. Impulsi fiskal në ekonomi s’ka qenë i njëtrajtshëm përgjatë gjithë periudhës” - tha Fullani. Duke marrë në analizë zhvillimet e këtij viti, guvernatori kërkoi që të përgatitemi për paqëndrueshmëri të bizneseve dhe për shkurtime të mëtejshme të vendeve të punës. Sipas bilancit të forcave të punës, numri i të punësuarve në nivel vjetor u rrit me 17 për qind në gjashtëmujorin e parë, ndikuar edhe nga investimet që qeveria bëri për zgjedhjet lokale. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga zgjerimi i punësimit në sektorin privat jobujqësor. Përsa i takon sektorit publik, vijon të vërehet rënie vjetore e numrit të të punësuarve me 0.5%. Me gjithë përmirësimin në treguesit kryesorë të tregut të punës, norma e papunësisë ka mbetur konstante në 13.4%. Pavarësisht se norma e papunësisë ka ardhur në ulje gjatë periudhave të fundit, ajo nuk ka arritur nivelet e vitit 2008. Pas vitit 2000 shkalla e papunësisë në Shqipëri ka ndjekur një trend në ulje deri në vitin 2009. Për vitin 2009 shkalla e papunësisë ishte 13.8 për qind. Nga viti 2000 deri më 2006 shkalla e papunësisë i referohet papunësisë së regjistruar. Nga nevoja për të patur vlerësime më të sakta për këtë tregues të rëndësishëm, si social ashtu dhe makroekonomik për një vend, si dhe për një përfaqësim më të mirë e të plotë të popullsisë në moshë pune në Shqipëri, në vitin 2007 u krye për herë të parë Anketa e Forcave të Punës (AFP). Nga burimet administrative për papunësinë, vihet re që numri i të regjistruarve si të papunë pranë zyrave të punës ka ardhur duke u ulur përgjatë viteve 2000-2009. Struktura e papunësisë sipas nivelit arsimor të të papunëve të regjistruar tregon se përqindjen më të lartë e zënë punëkërkuesit me arsim tetëvjeçar, pasuar nga punëkërkuesit me arsim të mesëm. Nga analiza e strukturës së papunësisë sipas grupmoshave, përqindja e të papunëve të regjistruar të grupmoshës 35 vjeç e lart është më e lartë dhe ka një tendencë në rritje nga viti në vit. Ndërsa përqindja e të papunëve të regjistruar të grupmoshës 15-19 vjeç dhe 21-34 vjeç ka ardhur duke rënë. Një tipar dallues i tregut të punës në Shqipëri është përqindja e lartë që zënë të papunët afatgjatë të regjistruar ndaj totalit të të papunëve të regjistruar. Kështu, për vitin 2000 të papunët afatgjatë përbënin 89.6 për qind të totalit të të papunëve të regjistruar, ndërsa në vitet më pas deri në vitin 2009 ata zënë mesatarisht rreth 92 për qind. Nga viti 2000 deri më 2010 vihet re që numri i të papunëve që përfitojnë nga skema e pagesës së papunësisë ka ardhur duke rënë dhe shprehur në përqindje ky numër përbën mesatarisht 7 për qind të totalit të të papunëve të regjistruar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›