E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT, degët ku kanë ndryshuar kuotat

Në Universitetin e Tiranës më shumë mundësi studimi për part-time do të ketë Fakulteti i Histori-Filologjisë. Në secilën prej tri degëve të Filologjikut, Histori, Gjeografi, Gjuhë-Letërsi, kuotat e pranimit do të jenë 250, që në total shkojnë në shifrën 750 pranime. Pas Filologjikut, një tjetër fakultet i Universitetit të Tiranës që do të presë një numër të konsiderueshëm studentësh në sistemin part-time është edhe Ekonomiku. Gjatë vitit të ri akademik, në dy degët e këtij fakulteti, Administrim-Biznes dhe Financë-Kontabilitet, do të pranohen 300 studentë, ndarë në mënyrë të barabartë 150 kuota në secilin program studimi. Krahasuar me një vit më parë, numri i kuotave në këto dy degë është ulur me 50 pranime. Po kaq është reduktuar numri i kuotave edhe në Fakultetin e Drejtësisë, që është një ndër më të preferuarit për studimet e pjesshme, sidomos për fakultet të dytë. Gjatë vitit të ri akademik, Juridiku do të pranojë 250 studentë në part-time, nga 300 që ka pasur një vit më parë. Në mënyrë të ndjeshme numri i pranimeve është ulur edhe në Fakultetin e Infermierisë, i cili nga 230 kuota që ka pasur një vit më parë, sivjet do të pranojë 150 studentë. Ndërsa për Biologjinë, këtë vit janë shtuar 50 kuota, duke e bërë 250 numrin total të pranimit në këtë degë. Një shtim i vogël kuotash është bërë edhe për dy degë të Fakultetit të Shkencave Sociale, Punë sociale dhe Psikologji, në të cilat këtë vit do të futen 20 student më shumë, e më konkretisht: 120 pranime në secilën prej tyre. Ndërkohë që për katër degë të Mjekësisë numri i pranimeve do të reduktohet edhe më shumë se vjet. Nëse një vit më parë në këto degë numri i kuotave ka qenë 60 për secilën prej tyre, këtë vit në Mami do të pranohen 20 studentë, në Teknik Imazherie 50, në Teknik Laboratori 50 dhe në Fizioterapi 30.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›