E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Demokratike mbledh aleatët në selinë blu, PS mbledhje grupi

TIRANË- Zhvillimet e fundit politike kanë bërë që Partia Demokratike të mbledhë aleatët e saj, pasditen e sotme rreth orës 18:00 në selinë blu.

Ende nuk dihen detaje rreth takimit i cili po mbahet pa praninë e mediave, por pritet që në takim të diskutohet qëndrimi i aleatëve të PD-së në lidhje më debatin për programin qeverisës së PS. 

Gazetari Mariglen Mërtiri raportoi se kryetari i PD-së Lulzim Basha ka qenë i pari që ka mbërritur në seli, ndërkohë pas tij ka mbërritur aleati Dashamir Shehu dhe të tjerët me radhë, Fatmir Mediu i PR-së, Nard Ndoka i PDK-së dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së.

Po sot, PD zhvilloi mbledhjen e grupit, ku në përfundim i ka kërkuar më shumë kohë PS për tu njohur me programin e qeverisë, duke deklaruar se nuk është gati për debat në seancën e nesërme. Por sipas tyre, kërkesat janë hedhur poshtë nga kreu i grupit të PS, Gramoz Ruci që u soll me arrogancë ndaj opozitës. 

PS MBLEDH GRUPIN
Partia Socialiste ka mbledhur pasditen e sotme rreth orës 18:00 grupin e saj në një takim më dyer të mbyllura në selinë rozë, e cila ka zgjatur vetëm 20 minuta. 

Ende nuk dihen detaje mbi mbledhjen, ndërkohë mendohet se fokus i takimit të ketë qenë programi qeverisës, i cili pritet që të marrë nesër “OK” e Kuvendit, teksa opozita kundërshton miratimin e saj pasi nuk i është dhënë kohë për të shqyrtuar. 

Deputetët socialistë pas mbledhjes nuk u prononcuan për median.
(e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Tetë deputetë të opozitës pro Metës, PR dhe PDIU: Votuam kundër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›