Partia e Ekremit, antikushtetuese
Kristi Pinderi
Komentet nacionaliste po pushtojnë mediat online shqiptare, sa herë që zoti Ekrem Spahia del para kamerave duke thënë gjëra që as vetë nuk i kupton. Dje, Spahia kërkoi të shpallet non grata ambasadori i Hollandës në Shqipëri, sepse sipas zëvendës ministrit më absurd të Mbrojtjes të një vendi anëtar të NATOS, zotëria ambasador mbështet LGBT. Me këtë argument, i bie të shpallim non grata të gjithë ambasadorët e huaj në vendin tonë, sidomos ata të vendeve anëtare të BE dhe atë të SHBA!
Kemi vendosur të jemi informues, duam të edukojmë, më shumë se të çedukojmë, po mendojme si të bashkojmë, më shumë se si ti ndajmë më qartazi njerëzit në qëndrime të imponuara, ne kemi nevojë të përfshijmë, më shumë se të veçojmë. Ky vendi ynë i rropatur nga injoranca nuk ka nevojë për një llogore më shumë, qoftë edhe në emër të nacionalizmit. Besojmë se metodat që përdoren sot nga mbreteroret pa gjak e logjike për të frymëzuar nacionalizëm, kanë qenë metodat që dikur kanë frymëzuar nacional-socializmin, fashizmin, apo dhe Shqipërinë ateiste, Pan-afrikanizmin e Gedafit, genocidin e Millosheviçit, etj. etj.
Por si Spahia, më shqetëson edhe Skënderi, një komentues i zakonshëm online kur shkruante i indinjuar: Besa e shqiptarit është vlerësuar nga bota me ndihmën që i ka dhënë populli ynë hebrenjve në luftën e dytë botërore, tani rasti përsëritet ku shtetet europiane me prodhimtari të lartë homosh, kërkojnë nga shqiptarët që çdo familje të strehojë nga një homo. Na e paskan ndotur Flamurin me atë sfond, vazhdonte Vlora1912: Turp që kjo po na ndodh për 100 vjetorin e Pavarësisë. Jo se kjo është gjëja më e keqe që po ndodh, por është njëra nga më të mëdhatë.
Të njëjtët njerëz që mendojnë në këtë mënyrë, janë të aftë të ndihen të përmbushur edhe kur një lider i thërret në emër të ndonjë superioriteti të bazuar o në gene, o në racë, o në territore gjeografikë, o në filozofi të tipit ne jemi më të mirët! Ne jemi të rrethuar nga përvoja të tilla. Fjala vjen, Aleksandra Musolini nuk duroi dot gjatë në një emision të Bruno Vespas, pa thënë: Më mirë fashist (si gjyshi i saj Musolini), se homoseksual. Të njëjtën filozofi superioriteti përdor çdo regjim agresiv në çdo cep të botës.
Pikërisht për këto arsye, pasi morëm pardje nga një biçikletë të Ecovolis dhe mbi të njëjtin bulevard të sëpatës së Demokleut pedaluam krenarë, do të shkojmë sot në Vlorë, për të folur ballë për ballë me të rinjtë, prindërit dhe mësuesit e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut, për tu kthyer në Tiranë po sot, ku në galerinë Tirana Express ku do ekspozojmë jo vetëm portretet e qindra qytetarëve të këtij vendi në një labirint aq të ngushtë sa është hapësira publike dhe personale që u kemi lënë motrave, nënave, baballarëve, vëllezërve, motrave, miqve e mikëshave tanë që janë LGBT, por do tregojmë për herë të parë se PO, ne jemi kundër nacionalizmit, nëse nacionalizmi (si ai shterpë i z. Spahia) nuk na mëson të duam, por na nxit të urrejmë, nëse nuk na bën qytetarë të Europës si ata qytetarë që na përshkruan Vedat Kokana, Svajg apo të tjerë, nëse nacionalizmi nuk na shpëton nga e kaluara, por na burgos tek padrejtësitë.
Në të gjitha eventet kataklizmore në kuadër të 17 Majit, ne do tregojmë se historia e LGBT nuk është vetëm ajo historia e shtypjes, e diskriminimit dhe e dehumanizimit të natyrës njerëzore, por është mbi të gjitha një histori e përjetshme dashurie. Ne fund, pasi të kemi realizuar këto aktivitete do i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese të shpallë anti-kushtetues PLL-në, si shkelëse e disa konventave, disa kodeve shqiptare dhe shkelëse të Kushtetutës.