E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diploma pa dije

Prof. Dr. Ago Nezha

Tregu mediatik, këto ditë u pushtua nga zhurmnaja e diplomës fiktive të Renzo Bosit, që ka prekur jo vetëm opinionin e shtresës së intelektualëve mësimdhënës, por të gjithë shoqërisë shqiptare, sepse ky shëmbull flet për një inflacion vlerash që ka pushtuar pushtetin e pazareve të pista në tërë segmentet e tij. Në rast se ky shëmbull do të ishte i veçuar në adresë të një universiteti, do të quhej një e keqe e vogël. Por ky fenomen kanceroz për arsimin, i ka shtrirë tentakulat në gjithë sistemin tonë arsimor, qoftë ai privat apo shtetëror.

Miniera e korrupsionit arsimor ka hapur galeritë e veta dhe sekserët e pushtetit tregëtojnë diploma false dhe shesin injorancën me euro. Arsimi është fytyra e mëndjes, kur shkolla është kështjella ku fitohet dije. Kritiku i madh rus Bjelinski, thotë se Ka shumë njerëz që e mbulojnë injorancën me shkollë. Kjo sëmundje është përhapur në tërë sistemin shkollor dhe përbën një epidemi, që prodhon fruta të hidhura në konceptin dhe botkuptimin e rinisë. Kjo situatë groteske, reflektohet në dukurinë që lokalet janë kthyer në auditorë të pijes dhe auditoret në braktisje të dijes.

Studentët dhe nxënësit, përjashtimisht një pakicë e njohin çantën dhe librin, ndërsa shumica shkojnë në shkollë me duar në xhepa.  Propaganda e shfrenuar pushtetore përhap opinione se arsimi, si gjithë sektorët e tjerë të jetës ekonomike e shoqërore, ka suksese sfiduese. Kjo është një demagogji vdekjeprurëse për shkollimin dhe arsimimin në nivele bashkëkohore të rinisë. Fenomeni fiktiv i arsimit, duhet të jetë kambana e alarmit që të zgjojë nga gjumi politikën e mbrapsht, që projekton të ardhmen e Shqipërisë. Në këto dy dekada të ashtuquajtura demokraci, padijen po e konvertojmë në dije, me tregëti diplomash dhe tituj e grada shkencore fiktive.

Kam shkruar një herë se kam mall të gjej një shqiptar me shkollë të mesme, që do ta pasuroja ska shqiptar pa grada e tituj shkencor. Kjo mjegullnajë që ka mbuluar tërë segmentet e shoqërisë, ngarkon me përgjegjësi Parlamentin si ligjvënës, ekzekutivin për ta parë shkollën si djepin e dijes, gjyqësorin që nuk e vlerëson këtë dukuri si krimin më të rëndë shtetëror dhe median që nuk e stigmatizon sa duhet një plagë që po gangrenizon të ardhmen e vëndit.

Kjo epidemi ka marrë përhapje galopante, prandaj kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, duke aplikuar metoda kontrolli efiçente. Përgjegjësia, duhet kërkuar te manipulatorët dhe rregulloret që krijojnë hapësirë për abuzim. Nuk është e mundur, që një dekan apo rektor, sado i zoti që të jetë, të krijojë barriera përjashtuese në stilin e korrupsionit. Këtu është fjala për ato raste që nuk është bashkëautor.

Ka disa universitete private, ku tregohet rigorozitet maksimal dhe karantinë të rreptë ndaj liberalizmit, për ti dhënë ngjyra dhe frymë evropiane, nëpërmjet metodave të mësimdhënjes dhe zgjedhjes cilësore të stafit petagogjik. Në rast se arsimin, do ta shohim si diellin që ndriçon të ardhmen e kombit, atëhere do tregojmë që duam të ecim drejt qytetërimit evropian.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›