E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klima e biznesit të huaj dhe pasiguria

Gjergj Buxhuku

Shqetësimet kryesore në Shqipëri për biznesin, kryesisht atë të huaj, lindin në shumicën e rasteve gjatë zbatimit të investimeve të parashikuara edhe pas plotësimit e të gjithë kushteve ligjore nga ana e tyre. Mbështetur në të dhënat që vijnë pranë Konfindustrisë, problemet më të shumta janë për shkaqe që lidhen me pronësinë e truallit të parashikuar për investim, pronësinë e terreneve të lëndëve të para, si dhe me ndikimin në mjedis dhe në shëndetin e banorëve të ndodhur në afërsi të zonave të parashikuara.

Gjithçka më sipër lidhet me kontrollin e paplotë dhe me pafuqinë e shtetit  për të kontrolluar plotësisht territorin, por edhe me cilësinë e dobët për të parashikuar mënyrat e dëmshpërblimit për ndikimin në shëndet, mjedis dhe ekonomi për banorët e zonave ku kryhen investimet.

Mjaft për të dëshiruar lënë edhe vendimet e gjykatave, që bëhen shkak për mbetjen hapur dhe të diskutuar të çështjeve pronësore. Ndërkohë, ngjarja mjaft e rëndë e ndodhur para disa ditëve, vrasja e punonjësit të një kompanie me kapital të huaj, duhet të sqarohet sa më shpejt dhe duhet të goditet ashpër.

Është mjaft e dëmshme për zhvillimin ekonomik të vendit në afatgjatë, që Shqipëria të preket nga pasiguria e jetës për bizneset, fenomen që për hir të së vërtetës, krahasuar edhe me vendet e zhvilluara të BE-së, nuk ka qenë shqetësues deri sot. Aq më shumë është e papranueshme sa më sipër, sot, kur thithja e investimeve të huaja është domosdoshmëri për ekonominë shqiptare, në kushtet e goditjes së ashpër të saj nga kriza globale.

*Administrator, KONFINDUSTRIA

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›