E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Gruevskit fiton zgjedhjet, përplasje mes shqiptarëve

Në Maqedoni, partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme.

Në bllokun shqiptar, dy subjektet kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike, thonë se kanë fituar.

Por, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se në përparësi me 10 mijë vota është BDI. Në ditën e votimit një person vdiq dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë disa incidenteve që u shënuan sidomos në pjesën shqiptare.

KSHZ-ja thotë se zgjedhjet mund të përsëriten në disa qendra votimi. Komisioni Europian ka shprehur shqetësim të madh për aktet e dhunës.

Fitore “historike”

Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Gruevski tha se fitorja e subjektit që ai drejton është historike. “VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” do të ketë mbi 60 deputetë në parlamentin e Maqedonisë”, - tha z. Gruevski.

Ky rezultat i mundëson z. Gruevski shumicën në parlament. Blloku opozitar me në krye Lidhjen Social- Demokrate e pranoi humbjen.

Radmilla Shekerinsa është kryetare e opozitës: “I uroj koaliconit dhe VMRO-DPMNE-së për rezultatin zgjedhor”, - tha Radmilla Shekerinsa, drejtuese e opozitës.

BDI “në përparësi”

Në mesin e partive shqiptare, sipas KSHZ-së, nga votat e numëruara në 82 për qind të vendvotimeve, BDI e Ali Ahmetit është në përparësi me rreth 10 mijë vota ndaj PDSH-së. Por, z. Menduh Thaçi kryetar i PDSH-së, thotë se partia e tij ka fituar:

“Është fitorja më e rëndë, më e vështirë, por më e lezetshme për PDSH-në.”

Izet Mexhiti ndërkohë është kryetar i shtabit zgjedhor të BDI-së: “Në të gjitha zonat ku nuk ka pasur vrasje, mbushje të kutive dhunim të procesit zgjedhor BDI shënon fitore bindëse”, - tha ai.

Incidentet

Gjatë procesit të votimit pati shkelje serioze të ligjit, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë. Një person u vra, kurse disa të tjerë u plagosën, ndërkohë shumë vendvotime ose u mbyllën, ose nuk funksionuan me kapacitet të plotë.

BDI, për këtë shkak ka kërkuar rivotim në zonën numër 6 dhe në një pjesë të zonës 1, në Saraj të Shkupit.

KSHZ konfirmoi një pjesë të madhe të parregullsive dhe pritet që të merret vendimi se në sa vendvotime do të ketë rivotim. Nga kjo do të varet edhe fituesi në bllokun shqiptar.

OSBE/ODIHR: Zgjedhjet nuk ishin brenda standardeve

Maqedonia në zgjedhjet e djeshme nuk ka përmbushur standardet ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve, vlerësoi në konferencën e djeshme për mediat misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe misioni OSBE-ODIHR.

Misioni i kryesuar nga OSBE/ODIHR theksoi se kjo është pasojë e orvatjeve të organizuara për ndërprerje të dhunshme të procesit zgjedhor në pjesë ku jetojnë shqiptarët etnikë, ku votuesit u parandaluan lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre në më shumë vende.

“Verdikti përfundimtar do të varet nga përsëritja e votimit në disa zona shqiptare. Pritjet për progres nuk janë përmbushur, për shkak të dështimit në parandalimin e akteve të dhunshme në zonat etnike shqiptare dhe zbatimit të kufizuar dhe selektiv të ligjeve”, - thanë vëzhguesit e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›