Rruga
Larg atyre që vizatojnë korbin në profil - Korbin në gjysmë profil. Lekë Dukagjini, Lekë Zakaria dhe Lekë Dushmani i ranë detit dhe deti u nda. I ranë shkambit dhe shkambi u hap.
Dymbëdhjetë rrugë për dymbëdhjetë fise u çelën.
Për herë të parë horizonti i hapësirës gjeografike të pasur me minerale doli në skenë.
Horizonti ku shpata dhe shigjeta për të gjetur shprehjen e vërtetë në Muzeun e Njeriut e vendosën të kaluarën.
Nga koha e ardhshme, kohës së tashme i kishte ikur gjumi.
2.
Valës së Drinit të Bardhë dhe të Drinit të Zi, kush nuk i ka besuar, nuk do t’i besojë kurrë.
Gjatë rrugës për ku është nisur do ta humb durimin.
Pa ditur se ku po shkon, sytë i ngulen në një ngjyrë të zezë dhe as vetë nuk e di se çfarë ngjyre ka parë.
Qorrazi, në tym e mjegull e zë nata.
Përballë varfërisë dhe çmendurisë në vetminë e Qafës së Malit, gjysma e armiqve kundërshtojnë dhe nuk u besojnë as syve, as kohës.
Gjysma tjetër të kënaqur, të pakënaqur, presin historinë e projektit për të çelur tunelin e Kalimashin dhe për të hapur rrugën e nivelit të shtatit të një Evrope të Re, e cila me zbulimin e guximit dhe imagjinatës ecë me shpalosjen e ideve shpesh të pakrahasueshme.
3.
Të çliruar nga paragjykimet, në hap me kohën evropiane, Lekë Dukagjini, Lekë Zakaria dhe Lekë Dushmani nga Jugu në Veri të vendit, për punë të rrugës rreth vetes kishin miq dhe armiq.
Romantika e re, romantika e nervave është rruga që afron Tiranën me Prishtinën dhe Prishtinën me Evropën. Nuk mbaj mend diçka më të pabesueshme se kjo rrugë e re që po bashkon shqiptarësinë.
Kësaj vepre të madhe çka t’i them më shumë? Më shumë se historinë e shkruar, historinë e pashkruar? Sepse, ende nuk po di të mbrohem nga pabesueshmëria.
4.
Nga kjo mbushje kohe m’u bë se e pashë njeriun, se si horizonti i trimërisë së pakufishme i ndihmon të ngrihet mbi natyrën e vet. Jo vetëm që t’i afrohet kohës, por që të jetë në hap me kohën e ardhshme.
Duke u ruajtur për të fshehur varfërinë, në kërkimet tona duhet të gjejmë përshtypje dhe koncepte vështirësi të veçanta që na sjellin lumturi.
Gjë e bukur... Do ta kujtojmë...
Ende pa u hapur e pa u bërë publike se tuneli i Kalimashit është hapur, unë kaq i pabesueshëm me kapelë në dorë kalova mbi gjatësinë e disa urave të larta, të drejta, të gjata, të cilat, pa pyetur kohën, as malet, as kodrat e kodrinat, me një frymëzim të pabesueshëm dhe me një krenari të rrallë më thanë se rruga që bashkon shqiptarësinë shpejt, shumë shpejt do ta nxjerrë fatin e vet dhe kohën që i është caktuar si vlerë.
5.
Peshku i Akuariumit në mungesë të realizimit të ideve të reja këtë kryevepër e vlerëson dhe e kritikon si çmenduri.
Por, për ata që arrijnë më shumë, mendon ndryshe, flet ndryshe.
Urrejtja e tepruar mund t’i sjellë probleme.
Po kush është e ku është tash i gjori peshk i Akuariumit?!
Për të parë se si ecin punët e rrugës së re që bashkon shqiptarësinë është tepër i ndjeshëm dhe tepër i pabesueshëm për t’i përballuar kësaj pabesueshmërie.
- Paraqitjet e peshkut të Akuariumit çdo ditë në televizion janë e Majta njëngjyrëshe dhe e Djathta njëngjyrëshe. – Leka i tha Lekës, e Leka Lekës.
6.
Për t’i kuptuar ndryshimet dhe për të jetuar bashkë me rrezikun të përgatitur për rrezik apo me një rrezik më shumë, kësaj radhe jeta e Heroit të Panjohur na takon ne shqiptarëve të vonuar.
Nën ndikimin e kërkesave, kur nga jeta krijohen pasione më të larta se arti i një shekulli, shqiptarët e humbën durimin e pritjes dhe brenda fatit të vet me rrezik çdo fillimi në rolin e ndryshimeve historike kërkuan botën e re. Me dritën që është gjetje dhe me guximin që është mbret, presin kohën e ardhshme dhe udhëtimin evropian.
Ne, që deri më 1999 nuk e kishim kuptuar mirë ngritjen e dollisë, tash jemi një variant i pafund i kohës moderne.
Miq të dashur, mos u shqetësoni. Guximi dhe besimi i prishur pak nga frika dhe i shoqëruar me një kërcim të ri, me një besim të pabesueshëm, shfaqet në të gjitha kohët. Për ata që arrijnë më shumë, kjo rrugë që bashkon shqiptarësinë nuk është spektakël i ndezur ekstravagant i çmendurisë, por identifikim i shekullit që po e jetojmë.
7.
Po të kthehem edhe njëherë në Tropojë, në Breg të Pacit, në Malësi të Gjakovës dhe në Malësinë e Kukësit të Vjetër, Kukësit të Ri. Kjo rrugë që bashkon shqiptarësinë më sjell ndërmend tim atë dhe të gjitha ato shkolla, ato katunde ku ishte mësues. Atëherë rrugët kaloheshin me shumë vështirësi. Kanë qenë rrugë kuajsh, mushkash, dhish, por të nevojshme për ta jetuar jetën.
Nga këto kujtime jo të vjetruara prapë po më kujtohet im atë.
Një ditë më tha:
-Dikur ka qenë një kohë mes varfërisë dhe shumë gjërave që nuk na pëlqejnë tash, por ishte edhe një jetë e bukur dhe e paharrueshme. Kishte e s’kishte rrugë të mira, por kishte kanun e zot shtëpie.
Rruga atëherë ishte me pak vlerë.
Me pak kërkesa.
Por besimi në njeriun ndoshta ka qenë dhuratë e zotit.
8.
Tuneli i Kalimashit dhe rruga me katër drejtime që bashkon shqiptarësinë edhe për vendlindjen time të harruar, Kukësin e Vjetër, Kukësin e Ri, ka një paraqitje morale dhe të logjikshme e të pakapshme e tronditëse.
Ky udhëtim i përtej botës reale, si duket, nuk njeh kufi.
Përsëri e përsëri nuk po u besoj syve.
Ku ta di pse?!
Deri tash i kishim vetëm tri Qafa Mali për të shkuar nga Prishtina në Tiranë e nga Tirana në Prishtinë.
Rruga që po bashkon shqiptarësinë, po regjistrohet si realitet edhe në mendjen time, e cila nuk u besonte as syve, as fjalëve.
Për t’i regjistruar të gjitha të kaluarat e mrekullive, shpejt, shumë shpejt do të na dalë një Kosovë më afër detit dhe një Tiranë më afër Prishtinës.
Besoni apo jo, Atdhe tjetër nuk kemi…
Prishtinë, qershor, 2008