Partia e Polisit apo Partia e Dhisë?
...kur u mor vesh se ajo ishte një histori mashtrimi për krijimin e një partie të re politike, do të mbetet një histori unike dhe e pashoqe, se dhe firmat për krijimin e saj kanë nisur me dhen dhe me dhi, me keca dhe cjep
Besoj se kushdo, ashtu si gjithë shqiptarët, kanë mësuar për një ngjarje të rëndë, të shëmtuar, fyese dhe poshtëruese, e cila ka ndodhur në fshatrat e komunës Polis të rrethit të Librazhdit.
Konkretisht, pak ditë më parë, një grup mashtruesish partiakë, të cilët kanë mbështetje nga individë në parlamentin shqiptar dhe eksponentë të politikës shqiptare jashtë mureve të Kuvendit, në emër të një të ashtuquajture nismë bamirëse, kryesisht për të mbrojtur apo shtuar dhitë, delet apo cjeptë, dhe për çudi jo për lopët. Duke ditur se kjo zonë jeton kryesisht me bujqësi dhe blegtori, kanë mashtruar në premtim- dhënies një dhie, keci apo dele rreth 4 000 banorëve të kësaj komune dhe u kanë marrë fotokopjet e kartave të identitetit dhe 100 lekë të reja.
Çdo të bënin ky grup mashtruesish me të ashtuquajturin bamirësi nëpërmjet dhive, kur ata vetë kanë nevojë për dhi?
Në përrallat për fëmijët ka një histori të bukur, të cilët shqiptarët e njohin me emrin “mama dhia” dhe ujku që i leu këmbët me miell të bardhë, për t’u besuar se ishe mama dhia.
Shkurt, kjo është një histori ujku dhe jo histori dhie.
Banorët e ndershëm të kësaj komune, ashtu siç ka ndodhur historikisht dhe me këtë trevë mikpritëse dhe bujare e kanë besuar lojën e pisët të këtyre njerëzve të çuditshëm, të cilët, për çudi ndonjëherë ju premtojnë se do t’u bëjnë pallate në mal dhe tani, po u marrkan seriozisht me çështjet e dhive apo deleve.
Në fakt këto ditë banorët dhe autoritetet e qeverisjes vendore i janë përgjigjur ndershmërisht, pandershmërisë së këtyre njerëzve mashtrues, duke ushqyer një ndjesi të mirë dhe mbështetëse, ashtu siç kanë vepruar tradicionalisht njerëzit e kësaj zone. Por historia e pandershme dhe mashtruese është zbuluar, se nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Kjo histori e re e dhisë, e deles apo e kecave, e ka indinjuar popullin e fshatrave të komunës së Polisit, sepse përveçse ajo është një histori mashtruese, një histori, që njerëz nga kjo sallë dhe jashtë saj mendojnë se mund bëjnë ç’të munden, për ta përdorur keq popullin e ndershëm, por ajo në të vërtetë është një histori e pandershme politike.
Kur u mor vesh se ajo ishte një histori mashtrimi për krijimin e një partie të re politike, do të mbetet një histori unike dhe e pashoqe, se dhe firmat për krijimin e saj kanë nisur me dhen dhe me dhi, me keca dhe cjep..., kuptohet fare mirë sa serioze mund të jetë ajo në të ardhmen dhe më keq akoma po të mendosh se kush fshihet pas kësaj katrahure të ndytë...!
Megjithatë kjo është punë e tyre..., e të zotëve të punës që ditë pas dite po dalin në dritën e diellit. Këta njerëz dhe partia e re e politikanit të njohur, i cili i ka kërkuar ndihmë liderit të së majtës, akoma i besojnë “politikës së dhisë”, që historikisht ka qenë politika e varfërisë, e mashtrimit dhe e nënshtrimit, ka qenë politika e dezinformimit dhe e kolektivizimit nënshtrues dhe diktues, ka qenë politika e hajdutëve dhe e abuzimit, ka qenë politika e hedhjes hi syve të njerëzve të thjeshtë, siç është dhe ky rast me banorët e komunës së Polisit.
Vetëm Enver Hoxha e ka bërë këtë në Librazhd duke përdorur alibinë me dhinë e Nënë Zyrhasë dhe askush tjetër. Turp për këta mashtrues ordinerë të shek. 21-të.
Ky është një turp dhe hajdutëri e paimagjinueshme për një mendje njerëzore.
Ato njerëz që keni mashtruar, që jeni tallur me dinjitetin dhe sinqeritetin e tyre, duhet të iu kërkohet falje.
Atyre njerëzve që përveçse i keni mashtruar dhe keni luajtur me ndërgjegjen e tyre , i keni grabitur në mënyrën më banale dhe më të paskrupullt.
Ju pyes, për çfarë ua morët nga 100 lekë të reja rreth 4 000 banorëve të asaj zone që jeton me sakrificat e veta?
A thua kaq shpejt iu dashkan kuotat partisë së re, apo janë peng për dhinë, kecin apo cjapin. Mos vallë këto firma janë vetëtima në qiell të hapur të shoqëruara me programe mashtrimi për të mbushur zonën dhe malet e bukura të Polisit me dhi dhe cjep nga Tirana?
Mendoni se ç’parti do të mund të jetë ajo...
Ashtu si me të gjithë të tjerët, Rama e mashtroi dhe këtë mikun e tij të ri.
As më pak e as më shumë e orientoi..., i dha Polisin dhe jo një bastion të tij. Që do të thotë se edhe këtu s’ka asgjë të sinqertë.
Gjithsesi për atë që kërkon ‘partia e re’, të cilën do të ishte mirë ta quanit “Partia e Polisit” ose “Partia e Dhisë” dhe pse banorët e këtyre fshatrave nuk e pranojnë kurrsesi, duke ju përgjigjur, - se firmat dhe paratë i dhamë për Dhinë dhe jo për Partinë - që do të thotë se e keni humbur davanë për të marrë vota.
- A do të ketë më histori ujku në këtë vend?! Ndoshta po, por duhet të lexoni përralla më shumë që nga Ezopi e deri te Anderseni.
Përveç përrallave asgjë tjetër nuk i ndihmon politikanët dhe partitë e këtij lloji!
Autori është Deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit