E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Sakashvilit kryeson në zgjedhjet në Gjeorgji

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale në Gjeorgji, të publikuara sot, dëshmuan se kandidatët nga radhët e partisë së presidentit të vendit, Mikhail Sakashvili, janë duke dominuar. Ishin këto zgjedhjet e para që u zhvilluan në Gjeorgji, pas luftës që zhvilloi ky vend kundër Rusisë, në gusht të vitit 2008.

Gara e cila u përcoll me interesimin më të madh ishte ajo për funksionin e prefektit të kryeqytetit Tbilisi, pasi që është hera e parë që mbulimi i këtij funksioni përcaktohet me zgjedhje të drejtpërdrejta.

Komisioni Qendror Zgjedhor theksoi se prefekti aktual, Gigi Ugulave, aleat i Sakashvilit, ka fituar rreth 54 për qind të votave, 20 për qind më shumë se sa rivali i tij më i afërt.

Në tërë vendin, partia e Sakashvilit aktualisht gëzon një përkrahje prej 70 për qind, pas numërimit të rreth katër për qind të votave, njoftoi Komisioni Zgjedhor.

Lufta në vitin 2008 kishte dëmtuar reputacionin e Sakashvilit, i cili edhe më herët u akuzua për stil autoritar të qeverisjes nga ana e opozitës.

Por opozita megjithatë nuk ishte në gjendje që të bashkojë radhët e veta dhe nuk arriti të sfidojë seriozisht qeverinë e Sakashvilit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›