Partia e re, Islami: Vetëm në kushtet e mbrojtjes legjitime
Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, deputeti Kastriot Islami, në një analizë që i bën situatës politike vlerëson se, ato që duhet të udhëheqin axhendën e forcave politike shqiptare janë 12 rekomandimet e BE-së. Ai komenton edhe ftesën e Ramës për debat me Berishën, duke u shprehur parimisht dakord, por duke e konsideruar atë të panevojshëm në kushtet aktuale. Duke folur për zhvillimet brenda kampit socialist dhe pritshmëritë ndaj Kongresit, ai u bën thirrje të gjithë atyre socialistëve “pro integrimit” që të mos e lënë PS-në të dështojë, ndërkohë që nuk përjashton mundësinë e një lëvizjeje të re politike në kushtet e mbrojtjes legjitime.
Edhe pse opozita është kthyer në Kuvend, sërish kemi bllokim politik. Përse ndodh kjo dhe si do ta përshkruanit këtë situatë pas ndërprerjes së bojkotit dyvjeçar nga opozita?
Për dy vjet radhazi, në Shqipëri bipolarizimi politik i personalizuar i çiftuar me klientelizëm ekstrem qëndron në themel të krizës politike të karakterizuar nga bojkoti, protestat, greva e urisë, demonstratat dhe marrëdhëniet e kushtëzuara me Kuvendin. Kjo lloj shfaqjeje është konsideruar “jashtë-institucionale, e shoqëruar me destruktivitet”. Aktualisht, kriza politike po shfaqet në një trajtë të ndryshme, në formën e marrëdhënieve të kushtëzuara me vendimmarrjen e ligjeve që miratohen me shumicë të cilësuar dhe kryerjen e reformave që janë në themel të axhendës integruese. Kjo do të konsiderohej shfaqje “brenda-institucionale dhe formalisht legale, por e shoqëruar me obstruktivitet”. Pritet në të ardhmen të vendoset normaliteti dhe të mbizotërojë fryma e konstruktivitetit, në mënyrë që parlamenti të jetë funksional; ky do të ishte vetëm standardi minimal për institucionin më të rëndësishëm të një demokracie parlamentare, ndërkohë që prej tij pritet performancë e lartë dhe rentabilitet maksimal.
Si mund të dilej nga kjo situatë krize?
Po t’u referohemi taktikave politike të palëve, duket sikur situata është e vendosur brenda një rrethi vicioz pa shpresë. Në kushtet e mungesës së besimit reciprok e të vullnetit politik të palëve dhe të përgjegjshmërisë së pamjaftueshme për çështjen e integrimit europian, gjasat janë që kjo situatë të vazhdojë, me një përkeqësim eventual në momentin e zgjedhjes së presidentit, për të vazhduar deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013. Ka një shans që të dilet nga ky rreth vicioz vetëm përmes zgjedhjeve të cilësuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, në përputhje të plotë me standardet demokratike, ndonëse mospranimi i rezultatit zgjedhor ka ndikuar në përkeqësimin e situatës politike. Ndërkohë, administrimi i zgjedhjeve dhe pranimi i rezultatit zgjedhor rezultojnë të kushtëzuara nga vullneti politik i palëve, i cili shfaqet në nivele relativisht të ulëta. Një përgjigje më e qartë do të mund të jepej vetëm pas zgjedhjeve të vitit 2013.
PS dhe kreu i saj kanë kushtëzuar votat me miratimin apo negocimin e Paktit Kombëtar 10 pikësh, ndërsa maxhoranca pothuaj e ka refuzuar këtë platformë duke pranuar vetëm reformën elektorale. ǒmendim keni për këtë kombinacion dhe veçanërisht Paktin Kombëtar të Ramës?
Të ndërtosh një pakt, kërkon së pari një vullnet për bashkëpunim, një proces negocimi, një teknologji konsultimi gjithëpërfshirëse dhe një dokument të diskutuar e hartuar me një bazë sa më të gjerë dhe përfshirje të aktorëve të interesit, grupeve të shoqërisë civile, medias etj; nëse pretendohet që ky Pakt të jetë për më tepër Kombëtar, atëherë procesi dhe teknologjia gjithëpërfshirëse e sidomos dokumenti do të ishin akoma më kompleksë. I vetmi dokument ekzistent që mund të pretendohet të ketë një qasje të tillë është Strategjia Kombëtare e Zhvillimit dhe Integrimit, e cila prej gati 15 vitesh konsultohet, diskutohet e përmirësohet radhazi nga dy forcat kryesore politike sipas një teknologjie standarde të asistuar nga një ekspertizë ndërkombëtare.
Po axhenda e integrimit, çfarë vendi do të zinte në këtë proces negocimi?
Lidhur me pyetjen tuaj, më konkretisht do të pohoja se një Udhërrëfyes apo ‘Road Map’ adekuat që mund të shërbejë për të ndërtuar këtë Plan dhe Kalendar Veprimi (termi Pakt Kombëtar ndoshta është një fjalë shumë e madh, e cila ka humbur kuptimin për shkak të keqpërdorimit gjatë 20 vjetëve, sa herë që politika është përpjekur të kalojë nga kriza në normalitet) të ndërtuar mbi themelet e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit apo më modestisht, fillimisht për të vendosur një bashkëveprim të suksesshëm midis palëve si kudo në botën demokratike, duket momentalisht të jetë Axhenda e Komisionit Europian me 12 pikat. Çdo kërkesë apo propozim i arsyeshëm i palëve mundet pa asnjëfarë xhelozie apo tensioni politik të vendosej nën këtë ombrellë apo të integrohej lehtësisht si element i këtij Udhërrëfyesi. Çdo propozim tjetër do të ishte i mirëpritur, por nuk do të mund as të zëvendësonte dhe as të ezauronte këtë axhendë. Nëse ekziston vullneti politik i palëve për të hequr dorë nga taktikat politiko-partiake apo duke i dhënë prioritetin e merituar procesit të integrimit, gjithçka është e mundshme për të dalë nga rrethi vicioz i krizës.
Kur mund të ishte periudha më e përshtatshme që forcat politike të angazhoheshin seriozisht në një bashkëpunim, që do të mund të lejonte kryerjen e reformave kryesore?
Figurativisht mund të thuhet se “retë e zeza” të krizës politike mund të fillojnë të shpërndahen paksa pas daljes së raportit të progresit në 12 tetor 2011, pas së cilës palët do t’i suleshin njëra-tjetrës për të përcaktuar fajtorin dhe më tej pas përfundimit të Kongresit të PS-së në nëntor 2011, kur PS-ja do të shfaqej e “qetësuar” pas pastrimeve të radhës. Kurse “pak kohë e mirë” për reforma, në rastin më të mirë, do të fillojë të shfaqej pas zgjedhjes së presidentit, në verën apo vjeshtën e vitit 2012. Sipas këtij kalendari të përcaktuar nga taktikat politiko-partiake, periudha më e mundshme për të filluar realisht reformën zgjedhore mund të ishte fillimi i vjeshtës së vitit 2012, ndërkohë që rezultatet e saj mund të shiheshin në fund të vitit 2012 apo me fillimin e vitit 2013. E gjithë periudha e ndërmjetme do të karakterizohej nga përplasja e dy taktikave partiake, e shoqëruar me uljet dhe ngritjet e krizës politike të karakterizuar nga ngërçet e vendimmarrjeve me shumicë të cilësuar për reformat integruese.
Konkretisht, çfarë mund të thuhet për reformën zgjedhore, duke pasur parasysh që zgjedhjet janë në themel të kësaj krize dhe ndoshta ajo përbën një nga elementët kryesorë të reformave të këtij pakti?
Reforma zgjedhore, e bazuar në 52 rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe që duhet/mund të kryhet me asistencën e komisionit të Venecias dhe ODHIR-it, si një nga elementët e rëndësishëm dhe me interes të lartë për palët dhe sidomos për opozitën, me shumë gjasa do të kryhet, por nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, gjasat janë që ajo të fillojë realisht me vonesë dhe të përfundojë si jo rrallëherë në minutat e fundit.
Po çështja e sistemit zgjedhor? Cila mund të ishte sjellja e palëve lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat në BE?
Çështja e përmirësimit, korrigjimit apo ndryshimit të sistemit zgjedhor është më komplekse dhe mund të qaset vetëm përmes një procesi politik kompleks të bazuar në teknologji konsultimi e negocimi të mirëkuptuara dhe të vendosura në një klimë besimi reciprok e bashkëpunimi midis palëve dhe aleatëve të tyre; të cilat për momentin mungojnë. Duke qenë shumë e komplikuar, çështja e sistemit zgjedhor nuk ka përse mban peng apo bëhet pengesë për reformimin e Kodit Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Kurse lidhur me çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat, duket se axhendat apo taktikat politiko-partiake të palëve mund jo vetëm ta vonojnë atë, por edhe ta rrezikojë marrjen e statusit dhe kjo jo vetëm në vitin 2011.
Ka gjithashtu një ftesë për debat nga Rama, e cila ka marrë refuzimin e Berishës, e shoqëruar me premtimin se do të debatojmë në 2013...
Nuk jam kundër debatit në parim dhe do të mirëprisja çdo debat që do të mund të prodhonte rezultat pozitiv për vendin dhe qytetarët, jo thjesht për përfitim partiak të njërës apo tjetrës palë. Në rastin konkret do të mund të pranoja një debat nëse do të kishte së pari një ulje paraprake të tensionit midis palëve dhe vendosje të një marrëdhënieje normale njerëzore, në mënyrë që “beteja midis dy armiqve” të mund të transformohej në “debat kundërshtarësh”; këtë gjë e propozoi me shumë elegancë ambasadori amerikan Arvizu. Së dyti, duhet të kishte një platformë programore, në mënyrë që debati të mos rezultonte thjesht një përballje midis monologjeve/retorikave tashmë të artikuluara nga palët në daljet individuale publike. Dhe së treti, nuk është e qartë se çfarë pritet në këtë moment nga ky debat midis Kryeministrit prezent në Kuvend dhe kryetarit të opozitës jashtë Kuvendit, kur më tepër kjo nuk ka ndodhur në fushatën elektorale, pikërisht atëherë kur votuesit marrin vendimin e rëndësishëm se çfarë duhet të bëjnë me votën e tyre. Së katërti palët ne Shqipëri janë të vendosura aktualisht në dy barrikada dhe sulmojnë armiqësisht njëra-tjetrën bazuar në parimin “njëri fiton kur tjetri humbet”, në mungesë të plotë besimi reciprok dhe duke përdorur taktika politike me interesa thjesht partiake dhe retorikë e fjalor tepër të rënduar. Një debat i tillë do të mund të eksitonte vetëm një pjesë të militantëve por me shumë gjasa do të degustonte shumicën e qytetarëve që kërkojnë nga politika më shume debat konstruktiv për zgjidhjen e shqetësimeve dhe halleve të tyre, sidomos kur kriza globale po prek punësimin dhe nivelin e jetesës së tyre. Së pesti, përplasja midis palëve nuk duket aspak ideologjike; pra në këtë përplasje me shumë gjasa nuk do të kishte ballafaqim alternativash apo programesh por një betejë që do ti ngjante një ndeshje gladiatorësh që do të kërkonin të rrëzonin njëri tjetrin apo në rastin më të mirë ta nxirrnin jasht ringut.
Zgjedhjet për strukturat e reja në PS po kalojnë pak në heshtje nga media, por ka pasur disa takime të Ramës, ku është shprehur shqetësimi i tij, që ata krerë degësh që nuk do të rizgjidhen të mos kthehen kundër PS-së. Nga ana tjetër ka sensibilitet për transparencën e zgjedhjes së delegatëve të Kongresit. Ju, a keni informacion se si po ecin këto zhvillime?
Së pari, media duhet të jetë më aktive për sa i përket jetës së brendshme të partive politike dhe në mënyrë të veçantë, demokracisë së tyre të brendshme apo funksionimit demokratik të partive politike. Së dyti, duke kërkuar t’i përgjigjem pyetjes suaj, ndjehem shumë keq kur një analist i shquar amerikan dhe njohës i shkëlqyer i Shqipërisë si Bugajski, artikulon tezën se sistemi politik Shqipëri vuan nga 6 çrregullime: 1) bipolarizmi i personalizuar, 2) mungesa e kushteve për konkurrim politik; 3) mungesa e karakterit ideologjik të konkurrimit politik; 4) klientelizmi i rrënjosur thellë në strukturën politike; 5) kultura politike e “shumatores zero” ku njëri fiton gjithçka dhe tjetri humbet gjithçka dhe 6) revanshi politik ose përsëritja e precendetit. Kjo analizë natyrisht prek jo vetëm jetën politike gjatë përballjeve të partive politike por edhe zhvillimet brenda secilës prej tyre. Të 6 çrregullimet janë po ashtu prezente brenda partive politike kryesore dhe dominojnë sjelljen e tyre duke deformuar apo penguar funksionimin e tyre normal. Nëse një proces kurimi dhe shërimi nuk nis me partitë politike këto dukuri me siguri do të vazhdojnë të karakterizojnë jetën politike të vendit, ndërkohë që emrat e veçantë apo mosha e re biologjike e lidershipit të tyre nuk kanë arritur ti shërojnë ato.
Nga ana tjetër, ka zëra që parashikojnë moszgjedhjen tuaj dhe të zotit Harasani në kryesinë e re gjatë Kongresit të nëntorit, si shenjë hakmarrjeje për alternativën politike që ju së bashku me zotin Harasani e z.Malaj keni propozuar kundër bojkotit të zgjedhur nga Rama këto dy vjet?
Sinqerisht më shqetëson gjetja nga socialistët e vërtetë të përgjigjeve të disa pyetjeve më prioritare dhe që qëndrojnë në themel të sfidës që ka përpara lidershipi socialist dhe klasa politike shqiptare. Konkretisht socialistët duhet ti japin përgjigje pyetjeve që kanë të bëjnë me kurimin dhe shërimin e çrregullimeve të sistemit politik: 1) si do të zbutej apo eliminohej personalizimi i drejtimit politik në partitë kryesore politike, 2) si mund të përmirësoheshin kushtet për konkurrim politik në mënyrë që të respektohet hierarkia e vlerave, kapaciteteve dhe kontributeve, 3) si mundet që konkurrimi të bëhet programor dhe mbi bazë alternativash dhe të shmanget përplasja hakmarrëse e eliminuese midis individëve dhe klientelave, 4) si mundet të zbuten apo eliminohen klientelizmi dhe korrupsioni politik e partiak; 5) si mund zëvendësohet sistemi “fitues-humbës ku dikush që fiton merr gjithçka dhe tjetri që humbet nuk merr asgjë” nga sistemi “fitues-fitues”; dhe 6) si ndërpritet sjellja e revanshit apo hakmarrjes politike që vazhdon me mentalitetin “ti më pengove apo bllokove këtë radhë unë do të pengoj apo bllokoj kur të vijë radha ime”? Për të qenë realist kurimi dhe shërimi i këtyre çrregullimeve do të kalonte përmes një procesi të gjatë e të vështirë por jo të pamundur. Kjo duhet të ishte edhe sfida e Kongresit të nëntorit 2011 të PSSH, sepse nëse këto pyetje marrin përgjigje pozitive, përgjigja është e thjeshtë dhe nëse këto pyetje nuk marrin përgjigje negative, atëherë nuk ka nevojë fare për përgjigje.
Nëse një skemë e tillë vihet në jetë, cila do të jetë lëvizja juaj e radhës? Deputeti Malaj, në një intervistë të para pak ditësh linte të kuptonte se, nëse zhvillimet e ardhshme në PS nuk do të jenë pozitive, Partia Socialiste nuk do të ishte mundësia e vetme. Ju, ç’mendim keni për këtë dhe, a nuk do të thotë kjo një copëtim akoma më i madh i së majtës dhe shanse më të pakta për të fituar zgjedhjet?
Kjo pyetje ka kohë që shtrohet ndërkohë që unë dhe disa nga kolegët e kemi dhënë një përgjigje. Më duhet te evokoj me kënaqësi se veprimi im politik i mëtejshëm por edhe i disa kolegëve të mi është në rezonancë të plotë me strategjinë e veprimit në situata të tilla, që përmblidhet në shtatë parimet e përshkruara me mjeshtëri nga filozofi e politologu francez, Zhak Atali, ish-këshilltar i Presidentit Miteran dhe aktualisht këshilltar i Presidentit Sarkozi në librin e tij “7 leksionet e jetës për të mbijetuar nga krizat”. Këto shtatë parime gati universale mund të bashkojnë të gjithë ata personazhe politikë apo publikë por jo vetëm, që 1) gëzojnë respekt për vetveten, që do të thotë të gjitha ata që kanë respektin maksimal për vetveten dhe kontributin e tyre; 2) që realizojnë veprimtari e aktivitet intensiv, pra të gjithë ata që shfrytëzojnë maksimalisht çdo minutë të jetës së tyre, 3) të gjithë ata që gëzojnë aftësinë për të parashikuar të ardhmen, 4) të gjithë ata që kanë aftësinë për ti rezistuar goditjeve të çfarëdolloji; 5) të gjithë ata që karakterizohen nga aftësia për të shndërruar humbjen në fitore dhe kthyer keqësinë e kundërshtarit kundër vetë atij; 6) të gjithë ata që kanë aftësinë për tu përshtatur me të gjithë llojet e vështirësive në mënyrë të njëpasnjëshme ose njëkohësisht, dhe së fundmi që 7) të gjithë ata që dinë në një “situatë in ektremis” të gjejnë zgjidhjen në dukje të pamundur në kushtet e mbrojtjes legjitime. Gjykoj se në PS dhe në Shqipëri ka personazhe që i gëzojnë këto veti dhe jam i sigurt që ata do të përpiqen dhe/ose grupohen për të shmangur çfarëdolloj dështimi të PS. Qëndrimi i shumë kolegëve të mi më duket se është në rezonancë me këto parime; disa janë shprehur, disa po shprehen dhe disa të tjerë do të shprehen me siguri në ditët e javët në vijim. Por jam akoma më i sigurt se shumë do të jenë të gatshëm jo vetëm të shprehen e të mos heshtin, por mbi të gjitha të veprojnë për të mirën e socialistëve, si për të mos lejuar “anijen” PS të “fundoset”, ashtu edhe sikur atë ta “fundosin”. Gjykimi e veprimi im janë përcaktuar vazhdimisht dhe do të përcaktohen edhe në të ardhmen nga bashkësia e këtyre parimeve dhe kam përshtypjen se ka shumë që mendojnë në këtë mënyrë se i njohin këto parime por akoma më shumë nga ata që mendojnë në këtë ndonëse nuk i njohin të formuluara në këtë mënyrë kaq të organizuar e të koncentruar këto parime që në thelb mishërojnë eksperiencën e gjatë njerëzore …
Shënim: Titulli i autorit është “ǒduhet të bëjnë socialistët që tw fitojnë në 2013....”