Aleatët e PS: Nuk ka më kohë për të humbur me dialog
Aleatët e Partisë Socialiste në opozitë janë skeptikë lidhur me suksesin e kursit të ri të socialistëve dhe kryesisht për paktin prej dhjetë pikash që ata kanë paraqitur. Dy prej këtyre aleatëve, kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi dhe ai demokristian Nard Ndoka tregohen të prerë në vlerësimet e tyre se zgjidhja e situatës politike nuk mund të vijë nëpërmjet zgjidhjeve të pjesshme të pikave të paktit të paraqitur nga PS-ja. “Zgjidhje të pjesshme nuk ka. Duhet një zgjidhje politike për të gjitha çështjet që përbëjnë themelet e shtetit dhe jo vetëm aspekte të veçanta të paketës. Nuk luftohet mafia vetëm me paketa të pjesshme”, - shprehet Skënder Gjinushi. Ndërkohë që Nard Ndoka u kërkon socialistëve që të nisin një lëvizje tjetër politike për të detyruar mazhorancën që të ulet në bisedime, pasi sipas tij nuk ka më kohë për të pritur. “Është detyrë e opozitës që të mos bjerë viktimë e kësaj politike të mbrapshtë të kryeministrit Berisha, por të ndërgjegjësohet dhe të fillojë një aksion politik për ta ndaluar mazhorancën në aventurën e vet”, - u shpreh Ndoka. Nga ana tjetër, kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo flet me tone më të zbutura në trajtimin që i bën situatës, duke shprehur besim se pakti sjell zgjidhje të një sërë problemesh që sot shqetësojnë demokracinë shqiptare.