Partitë e Serbisë s’ mund të garojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës

Partitë nga Serbia, të cilat tash e sa kohë i kanë degët e tyre edhe në veri të Mitrovicës, nuk do të mund të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat planifikohen të mbahen sivjet, në bazë të marrëveshjes së Brukselit.
Njohësit e rrethanave zgjedhore por edhe ata nga Komisioni Qendror, kanë thënë se pa regjistrim e certifikim të tyre nuk mund të hyhet në proces zgjedhor, i cili pretendon të organizohet në dispozitat ligjore të Kosovës dhe me ndihmën e OSBE-së. Por si duket shteti serb është përkujdesur edhe për këtë çështje.
Zyrtarët në Serbi tash po pretendojnë që pengesën e futjes se partive nga Serbia në zgjedhjet e Kosovës, ta mënjanojnë me një marrëveshje të re me Prishtinë dhe Beogradit.
Ish-sekretari shtetëror serb në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka pranuar se kjo çështje do të jetë problem, por ai ka shfaqur shpresën se do të gjendet një zgjidhje gjatë takimeve të ardhshme ndërmjet palëve. “Ka pasur shumë zgjidhje politike dhe besoj që edhe kjo çështje do të zgjidhet politikisht”, ka thënë Ivanoviq./Indeksonline/