Shqiptarëve në Maqedoni akoma u mohohet nënshtetësia

Programi Unik Shqiptar (PUSH) me seli në SHBA ka ngritur si shqetësim faktin se mijëra shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni u shkelet e drejta për marrjen e shtetësisë. PUSH këtë çwshtje do ta ngritë në institucionet ndërkombëtare dhe në ato që merren me të drejtat e njeriut, përfshirë këtu edhe në Departamentin e SHBA-ve.
PUSH bëri publike të dhënat e shqiptarëve që u mohohet e drejtat e shtetësisë në bazë të lindjes dhe martesave me shtetas të Maqedonisë. Në zyrën e kësaj organizate, siç thuhet, kanë mbërritur qindra dokumente nga shumë qytetarë shqiptarë që i mohohet e drejta e shtetësisë së Maqedonisë.
PUSH, nëpërmjet një komunikate thotë se ndihet e shqetësuar se si partitë politike shqiptare në pozitë dhe opozitë nuk e kanë në programin e tyre çështjen e shtetësive, ndërsa ka vërejtje edhe në Avokatin e Populli, i cili sipas PUSH, shpesh pajtohet me vendimet absurde të MPB-së.
“Duke parë padrejtësitë që u bëhet shqiptarëve në lidhje me përfitimin e shtetësisë së Maqedonisë, ne si Lëvizje PUSH, vendosëm që këtë çështje ta ngremë në Kongresin Amerikan si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ky raport do ti dërgohet edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) për shkeljet e rënda që ndodhin në Maqedoni për fitimin e së drejtës së shtetësisë”, thuhet në reagimin e PUSH.
Në Maqedoni, sipas tyre, dështoi regjistrimi i popullsisë më 2011 dhe askush nuk di në këtë shtet sa qytetar kanë shtetësi, sa janë pa shtetësi, sa është numri i emigrantëve ekonomik dhe politikë në këtë vend.
Në raportin që do t’ia dërgon DASH-it, Programi Unik Shqiptar thotë se do të parashtrojë në detaje çështjen e mohimit të shtetësisë në RM të mijërave njerëzve që jetojnë prej dekadash në këtë shtet. Raporti është bërë gjatë periudhës 12 Shkurt deri më 12 Prill 2013./Indeksonline/