E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla të mazhorancës, konsensus politik për ndryshimet në Kushtetutë

Duke ditur se koha sa vjen bëhet gjithnjë e më e pavolitshme për të realizuar një reformë zgjedhore dinjitoze dhe sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, partitë politike në vend ndodhen ende të hapat fillestare të kësaj nisme, aq sa partitë e vogla nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët për të vijuar më tej. Në këtë aspekt, realizimit të reformës elektorale nuk i kanë mjaftuar as tre mandatet shtesë të cilat Kuvendi ia ka atribuar cdo tre muaj në mënyrë që në zgjedhjet elektorale parlamentare të vitit 2009 të shkohet me kod të ri elektoral dhe synimi i zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e të pakontesuara nga asnjëra prej palëve politike. Në këtë aspekt, për të nxjerrë nga ngërçi reformën zgjedhore dhe për të hedhur një hap drejt realizmit të plotë, partitë e vogla të maxhorancës kërkuan dje që të arrihet një konsensus politik përsa i përket ndryshimeve ne Kushtetutë për reformën zgjedhore, të propozuara nga grupi Parlamentar i PS-së. Për kreun e Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova, “ky është vetëm një grup propozimesh për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që t’i hapet rruga hartimit të një ligji të ri zgjedhor”. “Problemi është që në kushtetutë të përfshihet ideja e ligjit proporcional zgjedhor”, tha Starova. Përsa i takon hollësive sesi do të jetë ky ligj proporcional, rajonal i pastër apo me çfarë karakteristikë tjetër, Starova theksoi se “kjo do të mbetet për tu parë dhe objekt i diskutimeve”. “Në momentin e duhur, shumë shpejt, do të kemi një reagim si liberal demokratë”, tha Starova. Ndërkohë, për republikanët kjo është një reformë zgjedhore, e cila parimisht është orientuar në ndryshimin kushtetues në bazë të nismës së PS-së. Duke e konsideruar këtë si “jo të drejtë”, Arjan Madhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PR-së, theksoi dje se “kjo vjen në radhë të parë për shkak të mungesës tërësore të konsensusit politik ndërmjet forcave politike”. Sipas tij, Kushtetuta ka përcaktuar sistemin dhe modelin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe propozimi i PS-së tenton t’i largohet shprehjes së sistemit dhe modelit në Kushtetutë. “Ka dhe një propozim në parim dhe kushtetuta delegon të drejtën që kodi zgjedhor të shprehë formën e sistemit që do të aplikohet në Shqipëri”, nënvizoi z. Madhi. Por shtoi ai, se kjo nuk është më një garanci, është një lloj liberalizimi dhe një mundësi më shumë për partitë e mëdha, cilado qofshin ato. “Gjithsesi këto parti, nëpërmjet instrumentit të tyre politik, do të detyrojnë ndryshime të herëpashershme të kodit zgjedhor në përputhje me interesat e tyre”, vuri në dukje Madhi. Ndërkaq, porsa i takon situatës politike lidhur me reformën zgjedhore në kampin e majtë, partitë e vogla opozitare, ende nuk kanë dalë në një qëndrim të qartë dhe vazhdojnë të kontestojnë propozimin e bërë nga PS.
Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›