E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceku: Shkupi, jo regjim vizash për shqiptarët

TIRANË- Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Cejku, ka deklaruar se Shqipëria nuk do të penalizohet nga regjimi i vizave me Maqedoninë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. "Ne kemi një marrëveshje aktuale të heqjes së vizave midis dy vendeve tona e cila është në fuqi dhe ajo nuk preket nga liberalizimi i vizave, që ka përfituar Maqedonia, për më tepër që dy vendet tona kanë një stacion të përbashkët, Bashkimin Europian, dhe Shqipëria shumë shpejt do të përfitojë liberalizimin e vizave në muajt në vazhdim. Kjo mund të ndodhte nëse Maqedonia do të ishte vend anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian dhe Shqipëria jashtë kësaj gjeografie, mund të ndodhte, që të diktohej vendosja e vizave me Shqipërinë", - tha Çejku. Deklaratën e tij diplomati shqiptar e bëri pas një takimi me zëvendës-kryeministrin e Maqedonisë, Abdilaqim Ademi. "Pas liberalizimit të vizave, që do ta marrë Maqedonia më 1 janar, nuk do të vendosen viza për vendet me të cilat Maqedonia deri më 1 janar nuk kishte regjim vizash, që do të thotë as me Shqipërinë, as me Kosovën, as me Bosnjën, po as me ndonjë vend tjetër, kështu që nuk ka nevojë për komplikime. Ne me Shqipërinë kemi marrëveshje për lëvizje të lire të qytetarëve dhe besoj se nuk ka nevojë për shqetësim",- tha Ademi pas takimit. Thuajse një vit më parë, mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase u nënshkrua një marrëveshje e cila parashikonte pikërisht liberalizimin e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, që solli edhe lëvizjen lirshëm të qytetarëve shqiptarë në vendin fqinj, pa pasur nevoje që të pajiseshim më parë me vizë apo të paguanin tarifa të tjera ekstra. Megjithatë liberalizimi i vizave për Maqedoninë në fillim të vitit të ardhshëm solli edhe pikëpyetjen e madhe nëse ky vendim i BE-së do të ndikonte edhe në lëvizjen e shqiptarëve drejt vendit fqinj. Por, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Ceku ka siguruar dje se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, për sa kohë që Maqedonia nuk është pjesë e BE-së.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›