E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani - Tirana, rivaliteti i përjetshëm vazhdon“Me një pikë do të isha i kënaqur, pasi bëhet fjalë për kundërshtar të fortë”, - tha Duro, i cili në takimin e fundit midis dy klubeve arriti të barazonte 2-2 me Tiranën, çka solli më pas edhe

Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, e konsideroi Tiranën, rivalen e përjetshme dhe kundërshtaren e radhës në kampionat si një “Celsi” në këndvështrimin financiar, por në atë sportiv njëshi i “demave” është i bindur se skuadra e tij është e aftë t’u marrë pikë bardhebluve.

Edhe pse Partizani ka një diferencë prej -25 pikësh me Tiranën kryesuese e në dy ndeshjet e fundit në kampion” kanë humbur si me Dinamon e Vllazninë, optimizmi në shtëpinë e kuqe para derbit me 23-herë kampionët është i lartë.

“Me një pikë do të isha i kënaqur, pasi bëhet fjalë për kundërshtar të fortë”, - tha Duro, i cili në takimin e fundit midis dy klubeve arriti të barazonte 2-2 me Tiranën, çka solli më pas edhe shkarkimin e ish-trajnerit boshnjako-kroat Bllaz Slishkoviç. 

Mesfushori durrsak i Partizanit, Dritan Babamusta (27 vjeç, 18 ndeshje, 3 gola gjatë këtij edicioni), pohoi se përballë të tilla takimeve motivimi i lojtarëve vjen natyrshëm, pasi në një derbi si Partizani-Tirana, secili ekip dëshiron të dalë i fituar.

“Pavarësisht se kemi synime të kundërta, Tirana për të dalë kampion e Partizani për të qëndruar në Superligë. Mund të them se një barazim do të ishte i kënaqshëm për ne”, - tha Babamusta, i cili është në sezonin e tij të me Partizanin (69 ndeshje, 6 gola në total), pas jo pak, por 9 sezoneve me Teutën (185 ndeshje, 17 gola në periudhën 1997-2005).

Blendi Nallbani, një nga titullarët e Tiranës dhe ndër më të “moshuarit” e kampionatit (37 vjeç), e vlerëson ndeshjen me ish-skuadrën e tij, Partizani (9 sezone, 126 ndeshje në total), si një nga gjashtë finalet e mbetura deri në fund të sezonit.

“Partizani është një kundërshtar i vështirë. Të gjithë rivalët tanë presin të gabojmë. Ne duhet te mendojmë të fitojmë, sesa të shpresojmë vetëm në një hap fals të Vllaznisë. Në një derbi nuk luajnë rol përbërjet e skuadrave, pozicionin në klasifikim. Unë
mendoj se Partizani duhet pasur frikë”, - tha Nallbani, i cili deri tani është aktivizuar në 15 sezone me Tiranën, 276 ndeshje në total me fanellën bardheblu.

Të njëjtën mendim për sfidën e së shtunës ndan edhe zëvendëstrajneri i Tiranës, italiani Mauro Bençivenga. “Do të jetë një takim i fortë dhe i hapur. Do të futemi në fushë për të fituar e për të mos e lëshuar vendin e parë”, - tha ndihmësi i Agustin Kolës.

Tirana kryeson kampionatin me 54 pikë pas 27 javësh, me pikë të barabarta me Vllazninë, që nga ana e saj luan me Teutën (38) në Durrës. Dinamo (47) do të luajë në transfertë me Besën (38) në Kavajë. Shkumbini (41) pret Lushnjën (29), ndërsa Flamurtari (30) do të luajë në Vlorë me Apoloninë (25). Elbasani (27), tashmë nën drejtimin e Ramadan Shehut do të presë në shtëpi Bylisin (25) e vendit të fundit.

PARTIZANI-TIRANA
Ndeshjet në sezonin 2008-2009

Faza I: Tirana-Partizani 2-1
Faza II: Partizani-Tirana 2-2

PARTIZANI-TIRANA
Bilanci historik

Ndeshje: 132
Fitore Partizani: 53
Barazime:40
Fitore Tirana:39
Golat: 194-153 

E Premte, 17 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›