Shkatërruesi Bulku shndërrohet në goleadorGolashënuesi më i mirë shqiptar në kampionatin ukraianas mbetet sulmuesi kavajas Parid Xhihani me tetë gola. Dorian Bylykbashi ka shënuar tre gola, ndërkohë që edhe Debatik Curri ka realizuar po tre gol

Mesfushori shqiptar Ervin Bulku po shndërrohet në një goleador në kampionatin ukrainas, pasi me golin e tij në fitoren 2-1 të Krivbasit kundër Zarja Lugansk, jo vetëm që dha kontributin në marrjen e tri pikëve, por shënoi edhe golin e dytë rresht për skuadrën e tij, pas atij të realizuar kundër në fitoren 1-0 në transfertën kundër Harkivit përpara ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare.
Krivbasi doli fituese në derbin e shqiptarëve të kampionatit ukrainas, pasi për të dyja skuadrat, Krivbas e Zorja, luajnë jo pak, por katër futbollistë nga Shqipëria: Isli Hidi, Evin Bulku e Dorian Bylykbashi (të tre te Krivbasi) e Parid Xhihani (te Zorja).
Ish-mesfushori shkatërrues i Tiranës e i Kombëtares shënoi në minutën e 8-të, përpara se Zorja të barazonte tri minuta më pas me Antonovin. Ishte Maksimov me golin e tij të minutës së 74-t, ai që i dha fitoren vendasve të Krivbasit.
Dy lojtarët e Kombëtares sonë Isli Hidi e Evin Bulku luajtën gjatë gjithë takimit, ndërsa kapiteni Dorian Bylykbashi (edhe ky i përfaësueses sonë) u zëvendësua në minutën e 86-të me Kovalçik. Xhihani, nga ana e tij luajti si zëvendësues nga minuta e 46-të.
Gjithsesi, golashënuesi më i mirë shqiptar në kampionatin ukraianas mbetet sulmuesi kavajas Parid Xhihani me tetë gola. Dorian Bylykbashi ka shënuar tre gola, ndërkohë që edhe Debatik Curri ka realizuar po tre gola, ndërsa Ahmed Januzi ka vendosur firmën e tij në dy gola.
Duke mbetur në kampionatin ukraianas, Vorskla Poltava e tre kosovarëve, Armend Dallku, Debatik Curri e Ahmed Januzi humbi në mënyrë dramatike 2-3 në shtëpi, me një gol të shënuar në minutën e 90-të nga Vorobej. Vorskla udhëhiqte 2-1 kur duheshin edhe diçka më shumë se 3 minuta lojë, por Obereko në të 87’ e më pas Vorobej tri minuta më pas fiksuan shifrat 2-3.
Dallku e Curri luajtën 90 minuta të plota, ndërsa sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Januzi u fut si zëvendësues me fillimin e pjesës së dytë.
Sipas lajmeve të publikuara në faqet ukrainase e të përcjella dhe në ato shqiptare, Dallku e Curri janë ndjekur në këtë takim nga të dërguar të posaçëm të gjigantit gjerman Bajern i Munihut.
E Shtune, 04 Prill 2009