E Diel, 1 Nëntor 2026

“Partizani”, GJKKO rrëzon Berishën dhe Malltezin: Provat e SPAK, të ligjshme

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kreut të PD Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për pavlefshmëri të akteve dhe papërdorshmëri të provave që janë gjetur deri më tani nga SPAK për dosjen “Partizani”, me argumentin se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe në prova.

Trupa gjykuese ka theksuar gjithashtu se pretendimet për tejkalim kompetencash nga SPAK nuk qëndrojnë, pasi janë po ashtu të pabazuara në ligj dhe në prova konkrete.

GJKKO ka nënvizuar se të gjitha pretendimet që lidhen me masat e sigurimit janë shqyrtuar tashmë nga gjykatat, deri edhe nga Gjykata Kushtetuese, dhe për këtë arsye rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri absolute.

“Kërkesat e pabazuara në ligj dhe prova. Kërkesat e tjera për tejkalim të kompetencave nga SPAK të pabazuara në ligj e prova. Të gjitha pretendimet për masat e sigurimit i janë nënshtruar kontrollit gjyqësor deri në gjykatën kushtetuese”, është shprehur GJKKO.

Sa i takon pretendimeve për ekspertë të pa licencuar apo në konflikt interesi, gjykata vlerëson se këto raste nuk përbëjnë shkak për pavlefshmëri të akteve. Sipas GJKKO-së, arsyet e paraqitura nga mbrojtja janë thjesht deklarative, ndërsa ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë vepruar në përputhje me ligjin.

Gjykata ka njoftuar se do të thërrasë një ekspertë topografë për të dëshmuar mbi njohuritë dhe kualifikimet e tij, përpara se të shprehet mbi një nga kërkesat që lidhen me pavlefshmërinë absolute.

Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar edhe pretendimin për sekuestrimin dhe ekspertimin e pajisjeve kompjuterike si të kundërligjshëm. Sipas saj, sekuestrimet e kryera në “Studio Pustina” dhe të dhënat e marra nga shoqëria “Homeplan” janë të ligjshme, por gjykata ka konstatuar se të dhënat e përfituara nga pajisjet që u janë kthyer më pas të pandehurve janë të papërdorshme.

“S’ka shkelje te afateve për ekspertimet. S’ka fakte qe ka patur paanshmëri te eksperteve apo janë ndikuar”.

Dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj me Berishën që do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi prentendohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›