Testi me Inteligjencën Artificiale në numërim, Celibashi: Përmbushi të gjitha pritshmëritë e KQZ-së

Kryekomisioneri Zgjedhor Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat, foli lidhur me procesin e numërimit për zgjedhjet në 5 bashki të vendit, të zhvilluara ditën e djeshme.
Sipas kreut të KQZ, në Bashkinë e Tepelenës u testua për herë të parë përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, si një hap drejt modernizimit të mëtejshëm të administrimit zgjedhor.
“Në Bashkinë e Tepelenës ne testuam përdorimin e IA-së në numërimin dhe vlerësimin e votave. Kjo mënyrë asesi nuk kishte për qëllim të zëvendësonte atë manualen, që mbetet sot e gjithë ditën ajo ligjorja. Ishte një test teknik, nëpërmjet të cilit doli se sa e dobishme do të ishte në të ardhmen përdorimi i kësaj teknologjie, kostot dhe në fund të fundit edhe integriteti i procesit.
Përdorimin e IA-së e kemi parë si një mjet të përshtatshëm për kontrollin e profesionalizmit dhe ndershmërisë profesionale. Testi i kryer dje ishte i suksesshëm dhe i përmbushi të gjitha pritshmëritë e KQZ-së. Pamjet filmike të përfituara gjatë numërimit dhe vlerësimit me dorë të fletëve të votimit u lexuan në kohë reale nga programi kompjuterik. Analiza e këtyre pamjeve prodhoi pothuajse 100% të njëjtin rezultat.
U lexuan me saktësi të plotë përmes IA-së, por pati pasaktësi në pjesën e pasme të fletës. Besojmë se arritja 100% do të varet nga ndërtimi i disa protokolleve teknike, të cilat do të duhet të respektohen nga komisionerët e numërimit. Është e qartë që do të duhen të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që rezultatet e dala nga përdorimi i kësaj lloj teknologjie të konsiderohen zyrtare”, tha Celibashi.
Celibashi konfirmoi të dhënat e publikuara më herët në faqen e KQZ-së, sipas të cilave Partia Socialiste ka fituar në të pesta bashkitë: Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë.