E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, "errësira" vazhdon

Partizani vazhdon fundosjen. Skuadra e drejtuar nga Hasan Lika ka shpërdoruar rastin më të mirë për të dalë nga kriza, duke barazuar 1-1 në shtëpi me Bylisin. As ndërprerja e kampionatit (për shkak të impenjimeve të Kombëtares), nuk i ka ndihmuar të kuqtë, që vazhdojnë të jenë në vendin e parafundit të klasifikimit me 5 pikë të grumbulluara në shtatë javë (po aq sa edhe ballshiotët). Në kampin tjetër, për Bylisin e Dedjas, barazimi i marrë në "Selman Stërmasi" ka shumë vlera në luftën për mbijetesë. Kjo është pika e dytë radhazi që ata fitojnë përballë skuadrave kryeqytetase, pasi në javën e gjashtë kishin frenuar në fushën e tyre Tiranën. Të privuar nga shërbimet e mbrojtësve Tafaj dhe Pinari, në këtë sfidë të kuqtë rigjetën shërbimet e Elis Bakajt. Megjithatë, avantazhi erdhi nga koka e Artan Karapicit, që në të 14-tën përfiton nga dalja e gabuar e Egbo dhe e dërgon sferën në rrjetë. Goli i tretë sezonal për lojtarin e Partizanit (ndërsa skuadra në total ka realizuar vetëm 4 rrjeta). Barazimi i miqve vjen në pjesën e dytë me vlonjatin Roland Nenaj, që në të 55-tën ka ekzekutuar mjaft mirë një penallti të akorduar nga gjyqtari Shkëlqim Guçe. Vendimi i "xhaketës së zezë" është kontestuar fuqishëm nga lojtarët dhe stafi teknik i të kuqve.

Në takimet e tjera të javës së 7, Vllaznia frenohet në shtëpi nga Shkumbini. Peqinasit janë konfirmuar si "macja e zezë" e kuqebluve, duke dalë me 1 pikë nga Shkodra pas barazimit 2-2. Heroi i miqve ishte sulmuesi Erjon Rizvanolli. Fillimisht ai risolli baraspeshën pas avantazhit të Vllaznisë me Doçin, ndërsa në minutat shtesë të takimit, shënoi golin e barazimit 2-2, pasi më parë në portën e Shkumbinit kishte realizuar Sinani. Elbasani bie në shtëpi përballë Teutës: verdheblutë humbasin 1-0 përpara tifozëve të tyre dhe humbasin një mundësi mjaft të mirë për t‘u ngjitur mes kryesueseve. Goli i durrsakëve, që regjistruan fitoren e dytë në këtë sezon dhe të parën jashtë fushe, mban firmën e Emiljano Vilës. Probleme në Fier, ku barazimi 1-1 i Apolonisë me Flamurtarin shoqërohet me shkëputjen për 7 minuta të ndeshjes. Tifozët kanë goditur me shishe plastike vijërojtësin Denis Rexha, për të cilin është nevojitur ndihma mjekësore. Fierakët shënuan vetëm pas 5 minutave lojë me serbin Mirçeta, por barazimi i miqve erdhi në të 24-tën me Franc Veliun. Në të 31-tën, mbrojtësi Maringlen Shoshi humbi shansin për t‘i dhënë fitoren skuadrës së tij, duke shpërdoruar një penallti të akorduar për Apoloninë. Në fund, Besa fiton 0-1 në fushën e Lushnjës, me rrjetën e Lecit në të 82-tën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›