Thaçi në Konferencën e Paqes
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, udhëtoi dje drejt Romës, ku do të marrë pjesë në konferencën vjetore të Akademisë së Paqes, të organizuar nga Forumi i Krans Montanës. Zyra e Kryeministrit bën të ditur se, gjatë pjesëmarrjes në konferencë në kryeqytetin e Italisë, Thaçi do të zhvillojë takime bilaterale me përfaqësues të lartë të shteteve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, shteteve afrikane dhe shteteve evropiane, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Akademia e Paqes është një konferencë vjetore që mbledh përfaqësues të nivelit më të lartë nga të gjitha shtetet e botës për të diskutuar çështjet aktuale globale dhe rajonale.