Partizani godet sërish, firmos edhe Alban Hoxha
Duket se Partizani e ka marrë më seriozisht se të gjithë të tjerët sezonin e ri, pasi në dy ditët e fundit ka blerë 4 lojtarë dhe të gjithë në moshë të re, duke pasur edhe si synim rritjen akoma më shumë të tyre në klubin e kuq. Nëse një ditë më parë firmosën kosovarët Besnik Krasniqi e Labinot Ibrahimi dhe futbollisti i Shkëndijës së Tetovës, 19-vjeçari Mevlan Murati, dje radhën e ka pasur portieri Alban Hoxha, që nga specialistët cilësohet një nga portierët më të mirë shqiptarë që ka aktualisht Superliga. Ka qenë vetë administratori i Partizanit, Eduard Prodani, që ka prezantuar portierin Hoxha, duke deklaruar se blerjet e klubit të kuq nuk mbarojnë këtu. Alban Hoxha më parë është aktivizuar me Apoloninë, Dinamon dhe në sezonin e fundit me Besën. Drejtuesit e Partizanit, duke parë eksperiencën e hidhur të viteve të fundit, teksa skuadra ka milituar deri në Kategorinë e Dytë, kanë nxituar që të përforcojnë grupin dhe të nisin nga puna për sezonin e ri.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)