E Shtunë, 31 Tetor 2026

23 vjet, 23 qershor, për 23-vjeçarët

U bënë 23 vjet që kur u themelua Partia Demokratike. Kujtoj vitin 1990 kur organizuam klasën tek “Sami Frashëri” dhe vrapuam drejt Qytetit Studenti, në solidaritet me ata që po kthenin faqen e historisë. Një çunak i imët më pyet se kush ishte një person i gjatë me pardesy, ngjitur me Azem Hajdarin, me dy gishta lart. “Sali Berisha” na thanë ca të tjerë atje afër. Asnjeri nuk e njihte. PD-ja, me në krye Sali Berishën, ishte themeluar tashmë dhe shqiptarët besonin se për shumë pak vjet, Shqipëria do të bëhej si gjithë Evropa.
Sot, pas 23 vitesh, Doktor Berisha vazhdon ta sundojë PD-në me dorë të hekurt. Nuk ka pasur ndonjëherë lëvizje të mendimit ndryshe brenda kësaj partie, që pretendon të jetë demokratike. Sot, pas 23 vitesh, Doktori numëron 13 vjet në pushtet, 5 si President dhe 8 si Kryeministër tani pas dy mandatesh. Shqipëria ka ndryshuar, por jo siç e deshëm apo e ëndërronim ne atëherë kur filloi tranzicioni. Shqipëria nuk është si Evropa. Është shumë larg saj...
Si President, Berisha mban përgjegjësi historike për aplikimin me infantilitet politik të “Terapisë së Shockut”, që shkatërroi një sistem të tërë industrial, një rrjet funksional bujqësor, zhvlerësoi lekun deri në 226%, rriti papunësinë brenda natës dhe krijoi efekte të tmerrshme psikologjike dhe sociale për një shoqëri të tërë. Thënë troç, të paaftët që morën shtetin në vitet ’90 shkatërruan çdo gjë funksionale që kishte ngelur në vend. Çdo gjë që ishte ndërtuar gjatë komunizmit u brandua si e keqe, dhe përmes një mentaliteti po komunist, filloi shkatërrimi i një shteti dhe shoqërie të tërë. Mungonte vizioni! Mungonin aftësitë! Mungonte lidershipi!
Ekonomia u ndërtua mbi bazën e investimeve të pista në firma piramidale, që inkurajuan dembelizmin me bekimin e Berishës dhe që patjetër do të çonin në manipulimin e zgjedhjeve të 1996-ës nga Berisha dhe në kaosin e vitit 1997, ku shteti ra, mbi 3000 njerëz u vranë kot dhe Shqipëria do duhej ta fillonte përsëri nga fillimi. Gjatë viteve ’90 nuk u ndërtua asgjë, as rrugë, as industri, as bujqësi, as shtet. Keqmenaxhimi i ekonomisë, loja me jetën e një brezi të tërë, kaosi i 1997-ës dhe efektet e tmerrshme socio-ekonomike të asaj epoke duhen trajtuar si krime historike kombëtare.
23-vjeçarët sot, para se ta hedhin votën, duhet të pyesin prindërit për atë që përfaqëson 1997-ta dhe kush është fajtor. 23-vjeçarët duhet ta marrin vesh se kush është Doktori, sepse ata nuk ia kanë idenë se ç’ka hequr kjo e mjera Shqipëri këto vite.
Doktori, që prej vitit që 23-vjeçarët kanë lindur, mbetet në krye. Në krye të PD-së, në krye të shtetit, kontrollon çdo pushtet në vend, duke kërkuar sot që Shqiptarët ta kthejnë në mbret me fuqi absolute.
 Pas 23 vjetësh, mendoj se ndaj zhgënjimin e një brezi të tërë, që Shqipëria ka humbur kaq shumë shanse dhe kaq shumë vite, me sherre, konflikte, skema të pamenduara ekonomike, destabilitet dhe një politikë të personalizuar, së cilës i ka munguar vizioni dhe drejtimi strategjik. Dëmin e heqim ne të gjithë mbi supe, mbi familjet tona, mbi të ardhmen tonë.
Unë besoj fort se 23 qershori është data e skadencës së Doktorit dhe se të dielën, shqiptarët, të majtë, të pavendosur apo edhe demokratë, do të votojnë me një qëllim të qartë: Për t’i dhënë fund njëherë e mirë tranzicionit të gjatë politik, të cilin ne e nisëm me kaq mund para 23 vjetësh.
Sepse në 23 qershor, 23-vjeçarët e sotëm duhet të marrin fatin e tyre në dorë e të votojnë për nisjen e një epoke të re në politikën dhe qeverisjen e vendit, që do të thotë se i duhet dhënë fund epokës së Berishës. Kjo është e vetmja rrugë që të rriten vendet e punës, të rritet niveli i jetesës, të përmirësohet mirëqenia dhe që më në fund të gjithë të rinjtë të ndihen po aq evropianë sa bashkëmoshatarët e tyre në Perëndim, jo ashtu siç ndiheshim ne padrejtësisht në vitet ’90...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›