E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deri në votën e fundit

I shohim disa herë në ditë në ekran. Nga tubimet në sheshe, zhvendosen në tawn hall-e dhe këndet e fjalës, por edhe nëpër studio televizive. Me lëvizje intensive ditore nga qarku në qark, Sali Berisha e Edi Rama përshkojnë qindra kilometra në ditë. Jo aq të lodhshme, edhe për shkak të infrastrukturës së ndërtuar rrugore, por të pamëshirshme ndaj njerëzores, fizikes apo kordave të tyre vokale, të testuara nga mitingu në miting. I lexojmë po aq shpesh në komunikimet e tyre në rrjetet sociale. Me forma të ndryshme e të personalizuara të fushatimit, Berisha e Rama po japin maksimumin nga vetja, në një fushatë krejt ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim në dy dekada pluralizëm. 23 qershori është një garë parlamentare që shkon përtej programeve partiake, vizioneve politike e mbështetjes së militantëve. Kapacitetet individuale, intelektuale e biologjike janë në funksion të një synimi të vetëm: Mbijetesës politike.
“Just” Berisha
Me një moshë 23-vjeçare politike e 69-vjeçare biologjike, Sali Berisha kërkon të vazhdojë pa u ndikuar nga bilancet e viteve, pasi siç tha në një studio televizive, “burri matet me pasionet që ka”. Është politikani barazisht i pëlqyer dhe kontestuar në këtë vend. Me një ambicie përtej njerëzores, e kalitur edhe nga origjina modeste, Sali Berisha është modeli i politikanit të racës, që nuk i mjaftojnë 24 orë në ditë për të realizuar objektivat e veta. Një model se si energjia e mendjes, me një forcë të mirëorganizuar të vullnetit, mund të ndërtojë një udhëheqës politik, pa asnjë fije trashëgimie familjare. Ringritja pas ngjarjeve të vitit 1997, do ishte një ëndërr e parealizueshme për çdo politikan të globit, por jo për kardiologun e talentuar nga Tropoja. Në qeverisje e opozitë, me një talent të lindur për llogari të akullta makiaveliste, ia ka dalë të mbijetojë, duke mbajtur të baraslarguar bashkëpunëtorët e vet, shpesh duke nxitur a shijuar nga lart përplasjet hegjemonike në parti. Ata syresh që kontributin në parti, guxuan ta konsideronin si një mundësi për të krijuar individualitete politike, u larguan me hir a pahir jashtë mureve të selisë blu. Rikthimin e tyre kokulur pranë tij, e ka shfrytëzuar mjeshtërisht, në funksion të maksimizimit të fuqisë së tij si lider i plotfuqishëm i partisë që solli përmbysjen e sistemit diktatorial në vend. Në këtë logjikë, pretendon që çdo individ i emëruar, në mënyrë absolute prej tij, në institucionet e vendit, të ketë si busullën e vetme funksionuese veçse vullnetin e tij. Politikan vendimmarrës që nuk tërhiqet edhe kur e kupton se e drejta nuk është në anën e tij. Sistematikisht i paparashikueshëm, çuditërisht njëlloj sistematik e energjik si në pozitë, edhe opozitë, mjeshtër i artikulimit të fortë e të pakursyer, deri në ekstrem ndaj çdokujt që cenon objektivat e tij të paracaktuar, mjeshtër i skenarëve politikë, që jo gjithnjë i kanë bërë mirë vendit, gjithnjë me asa nën mëngë, Sali Berisha është modeli i politikanit që nuk po njeh konkurrent në këta 23 vjet pluralizëm shqiptar. I rikthyer në qeverisje me objektivin e “qeverisjes me duar të pastra”, në 8 vitet si kryeministër ka arritur të ndërtojë minimodele të tijat nëpër institucione qendrore e lokale, që në fakt i shtojnë koston politike, pasi këto modele, shumë pranë qytetarëve kanë kultivuar e çimentuar ndër vite interesa primitive, larg tyre. Përkundër gjithçkaje, Sali Berisha, në pasionin e tij për sfidat, ia doli që të shfaqej në këtë fushatë si modeli i politikanit që punon e dëgjon me durim çdo qytetar. I vendosur në qendër të alternativës blu të 23 qershorit, Berisha po u ofron qytetarëve pikërisht atë që u kontestohet, thjesht Berishën. “Loja duhet të përfundojë vetëm kur ta vendosë Sali Berisha”, - do ishte deviza e tij. A do t’i ecë këtë herë?
“Made in Edi Rama”
Përballë tij Edi Rama, i shpërfaqur gjithashtu herët në momente të ndryshme të historisë sonë postdiktatoriale, artisti ndryshe, intelektuali ‘trendy’, i mirartikuluar e me një penë të fortë, ministri ekstravagant i Kulturës, kryebashkiaku që nisi t’i japë një fytyrë perëndimore kryeqytetit, pas çlirimeve kaotike e primitive të modelit të lirisë pa kufi e kuptim. Ishte kryebashkiaku që u identifikua me Tiranën shumëngjyrëshe, si shprehje e lirisë artistike të kryetarit. Prej vitesh e ka zhvendosur në prapaskenë anën e vet ekstravagante, e cila, rezistente edhe ndaj të zotit, shfaqet kryeneçësisht në qëndrime e artikulime, si një pjesë e pandarë e tërësisë së individit, që kërkon ta shukë diku thellë në të kaluarën shumëngjyrëshe. Kjo, për të marrë profilin e një politikani, që jo shumë kohë më parë, në një moment lodhjeje me normat e kornizat, e pat mohuar si pjesë të tijën. Tani shfaqet gati për të marrë në dorë frerët e drejtimit të vendit, pasi ia doli, me një strategji me hapa të vegjël, por të qëndrueshëm, të vendoste autoritetin e vet, në partinë që disiplinën dhe konservatorizmin e kishte një tipar të trashëguar brez pas brezi. Këtë e bëri me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij të pandarë, të përzgjedhur rigorozisht jashtë sferës së politikës, duke e ristrukturuar thellësisht Partinë Socialiste, nën efektin “Made in Edi Rama”. Kryebashkiaku më jetëgjatë i kryeqytetit kërkon për herë të dytë radhazi mandatin e kryeministrit të Shqipërisë. Këtë herë, duket i çliruar nga problemet brendapartiake. Ashtu si Berisha, është kujdesur të heshtojë, largojë e distancojë të gjithë rivalët në parti, duke u mbështetur fort tek njerëzit me të cilët erdhi, si paketë e plotë mes socialistëve. “Të dyshuarit” i mban monitorueshëm afër, si shenjë se gabimet e së shkuarës, kthehen në eksperiencë të vyer, ashtu si koalicioni me Ilir Metën. “Politikani i llastuar” në sytë e deputetëve historikë, i kritikuar vazhdimisht për mënyrën e gabuar të të bërit opozitë, e shndërroi identitetin e vjetruar të karafilit të kuq me trëndafilin rozë, e së fundmi, ashtu si dikur me ndërtesat e kryeqytetit, përzgjodhi vjollcën si ngjyrën identifikuese të ndryshimit rrënjësor që kërkon të bëjë në jetën e tij politike.
Entuziazmi që i çlirohet pavullnetshëm para shesheve të tejmbushura në qarqe të caktuara, shfaq habinë e Edit, me efektin që arrin politikani Rama. Sepse edhe në komunikimet partiake, ai nuk është më “Edi”, por “kryetari”. Ndërkaq, ka ndryshuar ndjeshëm pjesën e mozaikut të skuadrës së Rilindjes, duke zhvendosur deputetët me lidhje historike në qarqe të caktuara, në zona ku lidhjet me strukturat e komunitetin duhen ndërtuar nga e para. Si dikur në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama po mobilizon skuadrën e tij së pari, për të realizuar projektin madhor të jetës së tij. Dhe nuk i kanë munguar përplasjet e forta me të vetët në këtë fushatë, ata që nuk arrijnë të mendojnë më gjerë se lokalisht, edhe në bastionet e socialistëve. Vetë bëri hapin më të vështirë, duke gëlltitur mërinë e fortë me “kumbarin” e tij politik Ilir Meta, sepse për këtë garë e ka kuptuar se “rivalët” duhen mbajtur më afër se miqtë. Dalja e parë zyrtare përkrah aleatit të ri, një ditë para heshtjes zgjedhore, i shërbeu që të shpaloste “partnerin strategjik” Ilir Meta, duke evidentuar padashur publikisht se llogaritë e numrave janë më të fuqishme se argumentet kundër Berishës “së lodhur”.
Këtë herë duket po kuron çdo detaj personalisht, deri edhe thirrjet e përsëritura për mobilizim qytetar, që tradicionalisht janë bërë nga organizatat militante socialiste. Me një organizim të admirueshëm, teksa tenton të përfshijë Berishën në debatin se, po përdor administratën për të mbushur sheshet e mitingjeve, po mobilizon e sponsorizon ardhjen e votuesve nga jashtë vendit për votime, pa kursyer spotet televizive në vendet ku ata jetojnë, apo duke përfshirë edhe shqiptarë me karrierë të shkëlqyer jashtë vendit në apele pro tij më 23 qershor.
“Rilindja” është projekti që ka kuruar si kurrë më parë deri në detaje, me bindjen kryeneçe se duhet t’u pëlqejë të gjithëve. Kjo vetësiguri i sjell arrogancën e pamatur ndaj atyre që “nuk ia kuptojnë”, pa kursyer as mediat. Politikani Rama duket sikur e ka harruar se Edi ministër e kryetar bashkie nuk është përqafuar asnjëherë masivisht në idetë e tij avangarde, e se benefiti i dyshimit është një e drejtë e jo një direktivë.
23 qershor 2013
Berisha, në rolin e kryeministrit “të vjetër”, që mban shënime nëpër bashkëbisedimet në tawn hall-e cep më cep të vendit e që dëgjon me durim çdo pyetje, vërejtje a elozh që i bëhet, kontrastoi fort me “kryeministrin e ri” Edi Rama, që durimin e përunjësinë, nuk i ka pjesë të natyrës së tij, qoftë edhe të sforcuar politikisht. Fushata e Rilindjes, e konceptuar si një spektakël festiv, shpalosi imazhin e një opozite të pasur, moderne e kompakte në të gjitha ekipet e saj në qarqe. Në jo pak raste, artikulimet, që ishin nën nivelin e jashtëzakonshëm të organizimit, mbuloheshin me shumë finesë nga një staf profesionistësh.
Formë apo përmbajtje? Zgjedhja, jo gjithnjë është e lehtë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›