Partizani hyn në javët e "ferrit"
Partizani, me jo pak probleme edhe pas ndryshimit të trajnerit, përgatitet të hyjë në javët e "ferrit", që e presin për dy ndeshjet e radhës. Brenda shtatë ditëve nga kjo e shtunë, të kuqtë do të përballen me dy kryesuesit e tabelës së renditjes (vendin e parë dhe të dytë) që janë njëkohësisht edhe dy ekipet favorite për të fituar titullin kampion në këtë sezon: do të luajë të shtunën në Shkodër ndaj Vllaznisë, përpara se të ndeshet një javë më pas me Tiranën. Në fazën e parë, të dyja këto ekipe i kanë shkaktuar nga një humbje 2-1, duke i dhënë "shkelmin" e parë të sezonit, drejt fundit të renditjes ku ndodhet aktualisht. Partizani është duke e përgatitur me kujdes takimin e radhës, ku mungesa zyrtare është ajo e mesfushorit Viktor Gjyla, për shkak të kartonëve të verdhë. Ndërkohë që nuk priten ndryshime të tjera në formacion nga trajneri Shpëtim Duro.