E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesat, dhembje koke për Tiranën

Përpara sfidës me Teutën, trajneri Blazhe Slishkoviç duket gjithmonë e më i shqetësuar. Shqetësimit për rezultatet jo bindëse të skuadrës (në gjashtë javët e fundit Tirana ka marrë vetëm shtatë pikë), i shtohen edhe mungesat e lojtarëve kryesorë. Migen Memelli nuk po arrin të rikuperohet në kohë: edhe të mërkurën, golashënuesi më i mirë i bardhebluve ka zhvilluar stërvitje të diferencuar. Ende nuk dihet me saktësi nëse sulmuesi do të jetë i gatshëm deri në momentin e fundit. E pakonfirmuar është edhe prezenca e mbrojtësit Lekë Kçira, i cili ka thyer hundën në stërvitje. Në anën tjetër, kapitenit Devi Muka i nevojitet të paktën edhe një javë pushim përpara se të rikthehet në fushë (sipas gjasave në derbin me Partizanin). "Dhembjet e kokës" së trajnerit boshnjak-kroat shtohen edhe prej pezullimeve (me kartonë) të Ansi Agollit dhe Blendi Nallbanit.

Ndeshja - "Firot" bëhen edhe më të rrezikshme, kur mendon se sfida luhet përballë një skuadre shumë kompakte si Teuta. Barazimi me Dinamon në javën e kaluar konfirmoi edhe një herë forcën e grupit të drejtuar nga Starova, që në shtatë takimet e fundit ka grumbulluar 14 pikë. Sipas drejtuesve të Tiranës, ndeshja e fundjavës do të shërbejë si testi gjeneral për zëvendësuesit: ata duhet të tregojnë se mund të luftojnë për një vend titullari, por mbi të gjitha se janë të denjë për të mbajtur fanellën e 23 herë kampionëve. Gjithsesi, Slishkoviç vazhdon ta mbajë skuadrën nën tension, me seanca stërvitore të stërgjata. Fitorja është një detyrim për bardheblutë, për t‘u rikthyer të "frikshëm" si në fillim të kampionatit, por ndeshja e fundjavës shërben edhe për të mbajtur kreun e klasifikimit. Në rast barazimi ose humbjeje, dhe me triumfin e Vllaznisë përballë Partizanit (në letër shkodranët janë të favorizuar), Tirana do ta lëshojnë vendin e parë në Kategorinë Superiore pas dhjetë javëve.

Merkato - Problemet nga dëmtimet dhe rezultatet jo bindëse i kanë nxitur drejtuesit që të mendojnë edhe për përforcimin e kontingjentit të lojtarëve. Reparti që vlerësohet si më problematiku është mesi i fushës. Aty Tirana vuan mungesën e fantazisë dhe të lojtarëve të fortë fizikisht, që i imponojnë kundërshtarëve ritmin e lojës. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe një afrim në sulm: në 13 gola të realizuar, gjashtë mbajnë firmën e Memellit, ndërkohë që Daniel Xhafa vazhdon të mos jetë në formën e tij më të mirë. Gjithsesi, burimet pranë klubit saktësojnë se nuk mendohet të ketë largime nga futbollistët aktualë, por vetëm blerje të reja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›