E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani ndalet nga Himara, shtyn ngjitjen në Superligë

TIRANE- Kur pritej që Partizani thuajse të mbyllte sot ngjitjen për në Kategorinë Superiore, duket se kjo tifozët e kuq do të jenë në ankth për të paktën edhe dy javë. Partizani ka bërë një hap fals në fushën e tij me Himarën, teksa ndeshja ka përfunduar në barazim 1-1, madje kanë qenë miqtë bregdetarë që kanë shënuar të parët, ndërsa vendësit kanë barazuar në minutën e 86-të. Megjithatë, Partizani është 9 pikë para Pogradecit, por liqenorët kanë një ndeshje më pak (ndaj Adës në shtëpi). Mjafton që ky avantazh të administrohet ose mos gabohet në 4 javët e fundit më shumë se dy ndeshje dhe Superliga është e arritur. 

Lushnja, edhe një ditë më parë kishte siguruar ngjitjen në Superligë, falë gabimit të Pogradecit, ka fituar ndaj Gramshit 2-0, duke mos toleruar aspak. Duke siguruar pjesëmarrjen mes më të mirëve të futbollit shqiptar 4 javë para fundit, mbetet për t’u parë se si do të veprojnë verdhejeshilët këto javë, teksa janë hapur fjalë për lëshime. Po sot, ka fituar edhe Ada ndaj Mamurrasit, 3-2, një trepikësh me mjaft vlerë për velipojakët në luftën për mbijetesë. Kujtojmë që Ada ka një ndeshje më pak, atë ndaj Pogradecit në transfertë.
(m.a/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›