Partizani në ndeshje me shirit të zi, në nder të Panos
TIRANë- Nesër do të rikthehen ndeshjet e Kategorisë së Parë me javën e 17-të të saj. Ndeshja kryesore do të jetë ajo e stadiumit “Selman Stermasi” në orën 14:00 mes skuadrës së Partizanit dhe kryesuesve të Bylis. Partizani do të luajë kundër Bylisit me shirit të zi në krah, në shenjë respekti për legjendën e kuqe, të Kombëtares dhe futbollit shqiptar, Panajot Pano, i ndarë nga jeta, më 19 janar 2010, pas një ataku kardiak në Shtetet e Bashkuara. Për Partizanin (22 pikë), ndeshja kundër kryesuesve të Kategorisë së Parë, Bylisit (40 pikë), është edhe ndeshja e parë e vitit 2010, pasi ajo kundër Bilishti Sport (java 16) nuk u zhvillua në Bilisht për shkak të kushteve të papërshtatshme të terrenit. Në fazën e parë, Bylisi fitoi 1-0 në Ballsh, në një ndeshje të kontestuar nga të kuqtë për gjykimin. Partizani zhvilloi një merkato të fuqishme duke rekrutuar 13 lojtarë, shumica e tyre të ardhur nga klubet e Kategorisë Superiore, dhe ndeshja e dytë sezonale kundër formacionit të Ilir Spahiut (një ish-trajneri i Partizanit) konsiderohet edhe si një provë force për lojtarët e drejtuar nga trajneri Skerdi Bejzade.(m.a/BalkanWeb)