Partizani, nga Superliga e ndajnë tri pikë
Skuadra e kryeqytetit është pranë ngjitjes në elitën e futbollit ku mungon prej katër vitesh, por matematika nuk e lejon ende
Humbja e djeshme e Pogradecit ka gëzuar klubin e Partizanit, pasi diferenca prej nëntë pikësh ndaj kundërshtarit direk mbeti e pandryshuar. Tashmë, demat e kuq do të kenë qetësinë e nevojshme për të marrë atë që duhet në ndeshjet në vijim. Ku kanë mbetur edhe katër sfida, Partizanit i duhet të marrë edhe një fitore për tu shpallur edhe matematikisht e ngjitur në Superligë.
Skuadra e Likës zhgënjeu në sfidën e fundit ndaj Himarës në kryeqytet, barazim i cili zhgënjeu tifozërinë e kuqe. Për këtë shkak, presidenti i skuadrës, Lulzim Sallaku ka kërkuar me ngulm që lojëra të tilla si ndaj Himarës të mos përsëriten më në ndeshjet e ardhshme. Kjo përgjegjësi duhet të realizohet që në sfidën ndaj Naftëtarit, ku alternativa e vetme është marrja e tri pikëve.
Naftëtari nuk ka më objektiva në kampionat, faktor që mund ta bëjë më të lehtë marrjen e fitores nga Partizani në këtë sfidë, e cila pritet të vulosë përfundimisht kalimin në Superligë për legjendën Partizani. Edhe pse barazoi në sfidën e fundit, Partizani ka pasur një ecuri shumë pozitivë në javët e fundit, ku në shtatë ndeshje, ekipi ka marrë pesë fitore dhe dy barazime.
Këto rezultate janë arritur me Hasan Likën në krye të skuadrës, rezultate të cilat kanë bërë të mundur dhe shkëputjen e madhe të ekipit në këtë kampionat. Duhet theksuar se një faktor tjetër pozitiv për skuadrën ka qenë dhe hapat false të skuadrave kundërshtare, ku regresin më të madh e ka bërë Mamurrasi, i cili ka humbur gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat.
Kujtojmë që para shtatë javësh, Mamurrasi renditej katër pikë përpara Partizanit, ndërsa tani kjo skuadër ndodhet 12 pikë pas të kuqve. Edhe pse ka pasur një ecuri pozitivë në shtatë javët e fundit, tifozët e kuq nuk kanë mundur të suportojnë dot barazimin e fundit të skuadrës përballë Himarës, shenjë e cila tregon se sportdashësit e kuq kërkojnë më shumë nga ekipi i tyre, rendiment i cili duhet të rritet shumë me kalimin e tyre në Superligë.
