Partizani nuk ndalet në merkato, firmos edhe i riu Emiljano Musta
Partizani merr edhe një tjetër lojtar nga ekipi kombëtar i Shpresave. Pas Amir Rrahmanit, skuadra e kuqe ka firmosur edhe me sulmuesin elbasanas Emiljano Musta. 21-vjeçari, i cili së fundmi ka luajtuar për skuadrën e Shkumbinit dhe flitej për një kalim të mundshëm në vendlindje te skuadra e Elbasanit, ka firmosur për një vit me mundësi rinovimi më Partizanin. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit në internet, e cila po ashtu njofton edhe për zhvillim të negocitave me një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Shkëndijës, Muzafer Ejupi, që për pak kohë ishte pjesë e Skënderbeut. Ejupi ka qenë edhe më parë në fokusin e drejtuesve të kuq, madje këta të fundit kanë shprehur interes për ta afruar në skuadër. Partizani ka kryer edhe fazën përgatitore në Greqi dhe tani është drejt kolaudimit të plotë, pasi të kuqtë kanë qenë më aktivët në merkato, teksa kanë ofruar plot 13 futbollistë deri tani. Por duket se merkatoja do të vazhdojë, pasi priten të tjerë lojtarë cilësorë. (E.Ilnica/balkanweb)