Ka tension, por Kastrioti mund Tiranën dhe hyn në histori në Kupë
Krutanët kualifikohen, por bardheblutë ankohen për lojë të rëndë. Në fund trajneri i miqve Rubio thotë se ishte një ndeshje që nuk kishte lidhje me futbollin
KASTRIOTI – TIRANA 2-1
Shënues: Sefa 65`, Inkango 84 / Ferraj 93`
KASTRIOTI: A. Hoxha, Caca, Pashaj, Malakarne, R. Hoxha, Dragoi, Muçollari, Agolli (Alikaj 46`), Sefa (Sekseni 80`), Xhihani (Cetkoviç 46`), Inkango. Trajner: R. Ndreu
Kartonë të verdhë: Pashaj, R.Hoxha
TIRANA: I. Lika, Sina, Kalari (Tusha 80`), Pisha, Dushku, Taku, Peposhi (Ferraj 66`), G. Lika, Karabeci, Cikalleshi, Morina (Gjata 68`). Trajner: Julian Rubio
Kartonë të verdhë: Pisha
Gjyqtarë: E. Sino, A. Lamçe, I. Tartari (Tiranë)
Radiografia
30`- Agolli godet fort nga 20 metra distancë ballë për ballë me portën, por topi ka kaluar ngjitur me shtyllën pingule.
39`- Peposhi fut një top në zonë për Morinën, që ndodhet fare pranë portjerit krutan, por që në fakt është më i avancuar se mbrojtja duke u zënë kështu në pozicion jashtë loje.
59`- Agolli pason saktë për Inkangon që 4-5 metra larg Likës godet fort me kokë, por e dërgon direkt në duart e portierit mik.
65`- Muçollari ekzekuton një goditje dënimi, por topi i tij devijohet nga mbrojtja, duke shkuar në këmbët e R. Hoxhës, që gjuan prirët me portën. Topi i shpëton nga duart I. Likës dhe nuk fal Sefa që ka ndjekur aksionin, duke e shtyrë përfundimisht në rrjetë. Kastrioti udhëheq 1-0.
70`- Alikaj realizon në mënyrë perfekte një goditje dënimi jashtë zone, duke e dërguar aty ku takohen dy shtyllat në krahun e djathtë të Likës, por është ky i fundit që i përgjigjet me një fluturim spektakolar duke grushtuar.
84`- Cetkoviç fut një top në korridor për Inkangon që ndodhet mes dy mbrojtësve të cilëve u shmanget mjeshtërisht dhe sapo është futur në zonë ka goditur, duke e dërguar topin në rrjetë. Tashmë Kastrioti e ka rritur avantazhin në 2-0.
93` – G. Lika ka krosuar në afërsi të vijës fundore, duke e futur topin në zonë ku ndodhet Ferraj i pa mbuluar fare pranë portës, ku vetëm sa e ka shtyrë topin drejt rrjetës, duke shkurtuar disavantazhin në 2-1.
Duke menduar se Tirana e kishte siguruar kualifikimin askush në Krujë nuk kishte besuar se ajo do të rezistonte ashtu siç e panë të luante dje. Megjithatë, krutanët nuk reshtën së sulmuari në kërkim të fitores derisa e arritën atë me dy gola mjaft të bukur e më shumë vlera. Tri pikë të arta që Kastriotin e bëjnë përfundimisht gjysmëfinalist të kupës së Shqipërisë, duke shënuar kështu edhe një sukses të jashtëzakonëshëm në historinë e tij të pjesëmarrjeve në këtë kompeticion. Kurse Tirana ka pësuar humbjen e parë në kupë vetëm pas ndeshjes së fundit çerekfinale. Gjithsesi, nga ajo që është parë ka qenë një ndeshje që nuk kanë munguar edhe tensionet, gjatë dhe në fund të saj.
Pjesa e parë Në pjesën e parë rastet kanë qenë të pakta. Në minutën e 30-të Agolli ka goditur fort nga 20 metra distancë ballë për ballë me portën, por topi i tij ka kaluar ngjitur me shtyllën pingule, duke përfunduar jashtë. Ndërsa në minutën e 39-të është Peposhi që ka futur një top në zonë për Morinën, i cili ndodhej fare pranë portierit krutan, por që ka qenë më i avancuar se mbrojtja duke u zënë kështu në pozicion jashtë loje. Gjithçka tjetër ka qenë pa emocione të shumta, pasi krutanët, edhe pse zhvilluan më shumë zbritje tek porta tiranase ato nuk e vunë asnjëherë në rrezik portjerin Lika. Po kështu, edhe miqtë më shumë u kujdesën për mbrojtjen, por duke mos harruar edhe të kundërsulmojnë, pavarësisht se ato thuajse asnjëherë nuk arritën të shqetësojnë portën e Alban Hoxhës.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë i pati të gjitha, edhe emocionet, golat, por edhe tensionet në fundin e saj. Ka qenë skuadra krutane që ka dominuar thuajse gjatë gjithë 45 minutave të dyta. Ndërrimet e Ndreut që me fillimin e kësaj pjese, duke futur në fushë Alikajn e Cetkoviçin, kanë rezultuar tepër të suksesshme. Janë pikërisht këta dy futbollistë që kanë iniciuar edhe në dy rastet kur Kastrioti shënoi. Jo vetëm kaq, por ata kanë ndërtuar edhe shumë kundërsulme të tjera, duke u bërë tepër problematik për mbrojtjen tiranase. Edhe Rubio nga ana e tij ka kërkuar të freskojë ekipin me tri zëvëndësime njëri pas tjetrit, por ndryshimi në rrjedhën e lojës ka ardhur shumë vonë, pikërisht në minutën e tretë shtesë, kur goli i Ferrajt vetëm sa ka shkurtuar diferencën e golave e asgjë më tepër. I pakuptimtë nervozizmi i Dushkut me kapitenin Caca në fundin e takimit, kur thuajse gjithçka kishte përfunduar e pritej vetëm vërshëllima e gjyqtarit.
Çudia Tek të pranishmit në stadium bëri përshtypje edhe vendimi i gjyqtarit kryesor për të mos lejuar stafin mjeksor për të ndihmuar Rigers Hoxhën e Kastriotit të shtrirë në fushë. Përkundrazi, pas nxjerrjes së topit jashtë nga kolegët e tij, gjyqtari e ka ndëshkuar me karton të verdhë Hoxhën, duke e konsideruar simulim. Kanë qenë shokët e tij më pas që janë detyruar ta nxjerrin kolegun në krahë për tia dhënë këtë ndihmë jashtë vijave të fushës.
Ndreu: Kualifikimi, sukses historik për ne
Ishte nje ndeshje vendimtare për ne, ndaj edhe e kishim vlerësuar si të tillë. Kjo bëri që të triumfonim, edhe pse përballë kishim një Tiranë tepër të fortë, e cila rezistoi, edhe pse kualifikimin e kishte siguruar që një javë më parë. Ne e merituam fitoren, sepse e kërkuam gjatë gjithë takimit dhe në fund ia arritëm, duke hyrë për herë të parë në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Shpresoj që këtë sukses ta vazhdojmë edhe në gjysmëfinale, pavarësisht kundërshtarit që do të kemi përballë. Qysh kur ka filluar sezoni, ne kemi qenë një skuadër me pretendime si në kupë ashtu edhe kampionat.beci
Rubio: Në Krujë nuk u luajt futboll
Jam ndier i zhgënjyer me atë që ndodhi në fushën e lojës e që e panë të gjithë. Nëse më pyesni për futbollin, unë them se pashë pak futboll në këtë ndeshje. Është e vërtetë se Tirana nuk pati rrezikshmërinë karakteristike të saj, por edhe Kastrioti deri në minutën e 70-të nuk goditi asnjëherë rrezikshëm portën tonë. Megjithatë, rezultati tashmë nuk ndryshon asgjë dhe unë pres i qetë kundërshtarin që do të na sjellë shorti, që do të hidhet pas pak ditësh. Nuk kam ndonjë parapëlqim, për mua të gjitha ekipet njësoj janë. Ne e synojmë kupën, por tashmë e kemi mendjen te sfida me Vllazninë për kampionat.
Nuk mungojnë tensioni në këtë takim
Takimi i djeshëm ka qenë i karikuar gjatë gjithë javës dhe ka prodhuar incidente. Lojtarët krutanë kanë qenë shumë të ashpër në ndërhyrjet e tyre karshi atyre bardheblu. Duhet theksuar se gjatë ndeshjes ka pasur edhe tension mes Dushkut e Cacës. Por edhe mes lezhjanit dhe Pashajt. Por në fundin e pjesë së parë, kur skuadrat po futeshin në dhomat e zhveshjes, trajneri Ndreu për pak sa nuk është konfrontuar me Pishën e bardhebluve, por kanë ndërhyrë në kohë forcat e rendit. Në fund të sfidës ka pasur edhe ofendime të tifozëve krutanë ndaj lojtarëve bardheblu dhe pankinës së Tiranës.
