E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani, shtatë lojtarë debutues ndërkombëtarë

Skuadra që Partizani paraqiti në takimin kundër Shiroki Brijeg në barazimin 0-0 në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA, njëherësh edhe barazimi i parë në 11 ndeshje të Kupës UEFA, kishte brenda saj shtatë debutues që do ta fusin përjetësisht në statistikat e tyre këtë ndeshje, pasi për ta ishte edhe ndeshja e parë e tyre ndërkombëtare.
CAPO- Përvec portierit debutues Edvan Bakaj, i cili me paraqitjen e realizuar në Bosnjë, duket se ka zënë një vend titullari te 15-herë kampionët e Shqipërisë, një tjetër lojtar duket se do të ketë të ardhme të madhe. Sulmuesi i ri i Partizanit, Arbër Capo, (luajti gati 35 minuta) bëri një paraqitje pozitive në debutimin e tij të parë ndërkombëtar. "Jam i lumtur që munda të luaj në një ndeshje ndërkombëtare. Kjo është një ngjarje e madhe në karrierën time të re sportive, pasi dhe në kampionat minutat i kam pasur të paktë, duke luajtur vetëm në dy ndeshje", - tha sulmuesi i talentuar Arbër Capo (në foto) për "Albania-Sport". "Dua të falënderoj trajnerin Lika, por dhe presidentin Xhani, i cili ka bërë të pamundurën që unë të jem pjesë e Partizanit", - shtoi 20-vjecari.
PËRLLESHI- Talenti më i ri i futbollit shqiptar, lezhjani 17-vjecar Teodor Përlleshi (i ka mbushur më 23 maj, pra luajti 17 vjec e 54 ditë) pati minutat e tij (27 minuta), por pa mundur të thyejë rekordin e Elis Bakajt, i cili është aktivizuar ende pa mbushur 17 vjec, më saktë 16 vjec e 10 ditë. Përlleshi shënoi dy gola sezonin e kaluar me Besëlidhjen.
NGJELA- Sulmuesi korcar i Skëndërbeut e Besëlidhjes gjatë sezonit të kaluar, Maruis Ngjela ishte edhe një nga gjashtë blerjet e Partizanit për sezonin 2008-2009, së bashku edhe me Rajmond Shalën, Ylli Shametin, Teodor Përlleshin, Edi Cajkun e Klejdi Lartin. Edhe Ngjela, autor i 12 golave sezonin e kaluar, ishte një ndër debutuesit e Partizanit, në të parën ndeshje ndërkombëtare të tyre. Përvec Ngjelës edhe mesfushori Edi Cajku e Artan Karapici zhvilluan të parin takim ndërkombëtar.
Lojtarët që debutuan
Edvan Bakaj (portier), Viktor Gjyla (mesfushor), Teodor Përlleshi (mesfushor), Edi Cajku (mesfushor), Marius Ngjela (sulmues), Artan Karapici (sulmues), Arbër Capo (sulmues).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›