Partneriteti i “puçit institucional”, Edi Ramën s’e përfshin në hetimet e 21 janarit

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit për tre deputetëve socialistë Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj. Pas një viti hetimesh me hapin e breshkës ku mbizotëronte tentativa për fshehjen e provave të organizatorëve të protestës së dhunshme, më në fund organi i akuzës pranoi publikisht se atentati i 21 janarit të kaluar, për pushtetimin e Kryeministrisë, jo vetëm kishte prapavijë politike, por edhe nxitej nga drejtues të Partisë Socialiste. Edhe pse në krye të axhendës së hetimeve nuk është lidershipi i opozitës, Edi Rama, ai që dy ditë para protestës së 21 janarit të kaluar, paralajmëroi gjakderdhje dhe kufoma njerëzish në bulevard, prokuroria duket se e ka kompensuar me heqjen e imunitetit të 3 deputetëve të grupit parlamentar të PS. “E konsiderojmë të nevojshme kryerjen e disa veprimeve hetimore ndaj disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët për shkak të këtij roli aktiv, të incidenteve dhe të dhënave të grumbulluara tashmë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se, me veprimet e kryera gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kanë konsumuar veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Për Tom Doshin, Taulant Ballën e Besnik Baren i kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për procedim të këtyre deputetëve”- deklaroi dy ditë më parë kryeprokuyrorja Ina Rama, në një deklaratë për shtyp së bashku me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Por pse nuk është pjesë e hetimeve Edi Rama? Duke mos qenë anëtar i parlamentit, kryesocialisti s’ka imunitet. Çfarë e pengon prokurorinë në këtë drejtim? Padyshim që reaksioni i protestës niste nga deklaratat shokuese të Ramës në “Top Story” se Sali Berisha do ecë mbi kufomat e protestuesve, e vijonte me organizimin e kontigjentit kriminal të më shumë se 300 ish të burgosurve, persona në kërkim nga drejtësia dhe me precedentë penalë për vjedhje, plagosje apo dhe tentativë vrasje. Prokuroria u tregua e kursyer në kërkesën për procedimin penal të organizatorëve të dhunës. Dhe si e tillë, hetimet e kërkuara nga organi i akuzës mbeten gjysmake, përsa kohë nuk do kryhet asnjë hetim ndaj telallit të protestave; dhunuesit të institucioneve; vrasësit të 4 protestuesve; organizatorit të grushtit të shtetit. Sikleti i Ina Ramës është i kuptueshëm. Asaj vërtetë i djeg diku, pasi sic thotë populli “gjuha vete ku dhemb dhëmbi”. U tregua e kujdesshme në deklaratën e dy ditëve më parë dhe sigurisht në asnjë paragraf të kërkesës drejtuar Kuvendit nuk flet për ‘organizim masiv’, por për përgjegjësi individuale të 3 deputetëve në fjalë. Çka do të thotë se partneriteti mes Ina R. dhe Edi R. është funksional dhe mbizotëron në shtrembërimin e drejtësisë gjatë devijimit të hetimeve dhe shmangien me çdo kusht nga akuzat e organizatorëve të “grushtit të shtetit”. Kësisoj, Edi Rama s’rrezikon të vihet ndonjëherë përballë drejtësisë përsa kohë titullarja e organit të akuzës ka menduar në detaje për pafajësinë e tij dhe sigurisht ka konsumuar fshirjen e provave. Organizatori kryesor i demonstratës së një viti më parë ia hodhi ‘paq’ pasi homologimi institucional sipas hierarkisë së zbuluar që pasditen e së premtes së 21 janarit, jo vetëm shkëmbejnë raportime konfidenciale për avancim të kontrolluar në fshehjen e provave, por edhe me të njëjtin intensitet vazhdojnë “puçin institucional”.
...