E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Gjermani rikthehen debatet lidhur me formën se si duhen botuar librat e Hitlerit

25-01-2012 / Gazeta 55

Një botues britanik kërkon të publikojë në Gjermani, pjesë nga libri i Hitlerit "Mein Kampf"- "Lufta ime". Kjo ndalohet në Gjermani. Diskutimet bëhen për një bestseller të dyshimtë, që është shkruar në burg.

I burgosuri ndodhet që prej 11 nëntorit 1923 në burg për tradhti të lartë, përpjekja për puç dështoi, marshimi nacional-socialist në një sallë të komandaturës në Mynih përfundoi me gjakderdhje. Adolf Hitler-i është me sa duket në fund të tij. Ai ka tani kohë për të menduar për të ardhmen dhe shfrytëzon këtë pushim të detyruar. Përjashta sundon kaos politik, ekonomia është përtokë, papunësia në rritje, në rrugë forcat e majta luftojnë me ato të djathta. Republika e Vajmarit ndodhet në agoni. Aty ku është, pas hekurave Hitleri formulon vizionin e tij politik. Për pak muaj ai shkruan „Mein Kampf“ "Lufta ime" një përzierje e papërpunuar manifesti ideologjik, autobiografie dhe copësh të marra nga libra të tjerë e pamflete politike. Ai tematizon idetë rraciste dhe antisemitiste, flet për luftën dhe revolucion nacionalsocialist dhe hedh themelet për pretendimet e mëvonshme për të marrë drejtimin. Libri publikohet vite më vonë, kur Hitleri ishte sërish i lirë, dhe rikrijoi me besnikët e tij partinë nacionalsocialiste NSDAP, të shpërndarë tashmë në të katër anët. Deri në vitin 1933 shiten rreth 300 mijë kopje me një botim të lirë popullor, më pas libri kthehet në bestseller dhe botohet në miliona ekzemplarë, duke u kthyer në lexim të detyruar në çdo familje me pikëpamje nacionaliste, libër shkolle, dhuratë shteti për çiftet gjermane që martoheshin. Historianët ngrenë dyshime që librin ta kenë lexuar vërtet miliona njerëz. "Mein Kampf" pati sidoqoftë sukses ekonomik për partinë dhe shtëpinë e saj botuese dhe Adolf Hitleri pati me të edhe përfitimet e veta personale. Libri mund të lexohej edhe jashtë Gjermanisë, përkthime pati në frëngjisht, anglisht, spanjisht dhe gjuhë të tjera. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, kurrkush nuk donte të dëgjonte më për bestseller-in e Hitlerit. Miliona kopje u zhdukën nga shtëpitë gjermane ku kishin mbetur si një trashëgimi e turpshme. Por me sa duket jo të gjitha kopjet. Në Angli përshembull janë gjetur në vitin 2005 dhe 2009 ekzemplarë të nënshkruar me dorë, të cilat janë nxjerrë në shitje për shumë para. 

Gjykimi i historianëve është prej dekadash shumë i qartë. Ata e quajnë "Mein Kampf" irracional, të shkruar keq, egocentrik, pa stil, politikisht për faqe të zezë. "Një erë e çuditshme e prishjes, godet lexuesin nga të gjitha anët," ka thënë një herë Joachim C. Fest në librin e tij për Hitlerin. "Mein Kampf" është përpjekja krejtësisht e dështuar për të formuluar një botëkuptim. Historiania Brigitte Hamann mendon se mënyra e të shkruarit të tij është e mërzitshme dhe në një intervistë të shkurtër me gazetën "Die Zeit" ajo thotë: "Hitleri nuk ka krijuar asgjë nga vetja e tij. Ai ka kopjuar gjithnjë, kryesisht nga predikimet politike ekstreme."

Propagandë e dëmshme?/Në Gjermani është i ndaluar publikimi i librit. Ai vlerësohet si propagandë me parulla armiqësore dhe mjet për nxitjen e urrejtjes në popull. Me ndalimin, kërkohet të pengohet shpërdorimi dhe ndikimi politik mbi lexuesit, një argument që shumë vetë e shohin si të pakuptimtë, duke patur parasysh raportet demokratike të forcuara prej kohësh. Historiani britanik Ian Kershaw, pati thënë nje herë se përpjekja për të censuruar lexuesit, është një ushtrim i pakuptimtë në kohën e internetit. Në fakt libri është pjesërisht, apo komplet në internet dhe gjendet në antikuaret brenda dhe jashtë Gjermanisë. Në Indi, Rusi, Turqi apo Kroaci, "Mein Kampf" e gjen në shumë vende.

Por tani, konflikti që ka shpërthyer për një publikim të librit, kësaj here nga një botues, Peter McGee i cili ka planifikuar ta botojë "Mein Kampf" në serinë e tij "Dëshmitarë gazete", ka ndeshur në kufijtë e të drejtës gjermane të autorit. Të drejtën e manuskriptit të Hitlerit, forcat aleate ia kaluan pas luftës qeverisë së landit të Bavarisë, sepse qendra e banimit të Hitlerit deri në fund ka qenë në Munih. Prona e tij u konfiskua, dhe në të bënte pjesë edhe e drejta e përdorimit të shkrimeve politike polemike. Qeveria e landit të Bavarisë është përpjekur deri tani me sukses të pengojë me rrugë juridike çdo përpjekje për publikimin e pjesëve të teksteve. Edhe tani ajo ka thënë se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të penguar botimin. Sigurisht, që 70 vjet pas vdekjes së autorit të drejtat shuhen. Dhe kjo do të thotë se shtatë dekada pas vetëvrasjes së diktatorit më 1945, "Mein Kampf" mund të botohet plotësisht. Aktualisht, ka ardhur koha që një publik më i gjerë të ketë mundësinë të përballet me tekstet origjinale, thotë botuesi McGee për revistën gjermane "Der Spiegel". Disa mendojnë se britanikët nisen vetëm nga interesa komerciale.

Libri është përpunuar ndërkohë shkencërisht. Instituti i Munihut për historinë bashkëkohore është duke përgatitur një edicion serioz me komentarë. Ai do të publikohet para publikimit të librave të tjerëve që kanë synime komerciale. Historiania nga Vjena, Brigitte Hamann është skeptike sa i përket kësaj. Në këtë mënyrë publikohet një vepër me dhjetë volume, thotë ajo. "Kështu "Mein Kampf" nderohet më shumë se kur u krijua". Një botim i thjeshtë, mendon ajo, mund të bëhet, nuk është e nevojshme që të bëhen përpjekje për të shpjeguar gjithë historinë e botës në një libër. Çështja, nëse pjesë të librit do të shiten në kioskat gjermane, mbetet e diskutueshme. Ministrja për çështjet e familjes, Kristina Schrödër mendon se kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Për të kuptuar veprat çnjerëzore naziste, nuk ka pse nevojitet një gjë e tillë, duke pasur parasysh numrin e madh të vendeve historike në gjithë Gjermaninë. Dieter Graumann, presidenti i Këshillit Qëndror të hebrejve në Gjermani, e sheh publikimin e këtij libri me qetësi duke shpresuar që me leximin e tij "të vijë edhe zhgënjimi". 

Dojçe Vele

Fokus/Rritet numri i azilkërkuesve në Gjermani

Numri i azilkërkuesve për vitin 2011 në Gjermani është rritur në nivelin më të lartë qysh prej tetë vitesh. Gjithsej 45.741 njerëz kishin paraqitur kërkesën e tyre për njohjen e statusit si refugjatë. Kryesisht njerëzit nga vendet me popullsi myslimane të përfshira në kriza si Afganistani, Iraku dhe Siria  përbëjnë numrin më të madh të atyre që kërkojnë mbrojte në Gjermani. Vendet e tjera të origjinës më të madhe të azilkërkuesve në 2011 janë edhe vendet e Ballkanit si Serbia, Kosova dhe Maqedonia, edhe pse mundësia për tu njohur statusi i tyre si refugjatë këtu është pothuajse zero. Rreth 7100 personave që kanë kërkuar mbrojtje në 2011 iu është  njohur e drejta si refugjatë, bëri të ditur ministria.  Kjo përbën një kuotë prej 16,4 për qind të rreth 43.300 vendimeve për azil që ka marrë zyra federale vitin e kaluar. 2600 njerëzve të tjerë iu dha e drejta e qëndrimit për shkak se po të kthehen në vendet nga kanë ardhur rrezikohen nga dënimi me vdekje, torturimi dhe keqtrajtime të tjera. Këtu bëhet fjalë kryesisht për refugjatët nga Afganistani. Me rreth 7800 kërkesa, Afganistani ishte vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani. Në krahasim me një vit më parë numri është rritur në 31,5 për qind. Me rreth 5800 kërkesa (pesë për qind më shumë se në 2010) Iraku ndodhet në vend të dytë, ndërsa Serbia pason e treta me 4600 kërkesa (tetë për qind më pak se një vit më parë). Irani zë vendin e katërt me 3400 kërkesa (35,4 për qind më shumë se në 2010), Siria pas saj në vend të pestë me 2600 kërkesa (76,8 për qind më shumë). Kërkesa për azil në vitin 2011 parashtruan edhe qytetarët nga vendet e Ballkanit, Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Numri i atyre që iu refuzua kërkesa e azilit në Gjermani arriti në rreth 2400. Megjithatë këto vende janë ende si më parë në listën e dhjetë vendeve që  kanë më së shumti njerëz që kërkojnë azil në Gjermani. Ndërkohë njerëzit nga Serbia dhe Maqedonia mund të udhëtojnë pa vizë për në Gjermani. Vitin e kaluar nuk pati asnjë njohje për azil të atyre që kërkuan këtu strehim politik. Edhe kuota e qytetarëve nga Kosova që iu njoh e drejta e qëndrimit ishte 0,2 për qind. Ndërsa sipas Ministrisë së Brendshme në Berlin rreth 90 për qind  e azilkërkuesve nga Serbia ishin romë të cilët shihen në atdheun e tyre si të diskriminuar. Por shumë nga ata "duken sheshit" që nuk janë të përndjekur në vendin nga ata vijnë, tha ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich (CSU) për gazetën «Süddeutsche Zeitung». Kërkesa  të tilla "u refuzuan shpejt" për të minimizuar qëndrimin e tyre të paligjshëm në Gjermani. Perspektivë më të mirë për njohjen e statusit të qëndrimit këtu e kishin refugjatët nga Afganistani, Iraku, Siria dhe Irani. Ministri Friedrich përforcoi gatishmërinë e Gjermanisë për të siguruar edhe më tej mbrojtjen  e të" përndjekurve të vërtetë". 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›