E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 16 vitesh gjenden eshtrat e gruas së Haki Miskës



LIBRAZHD - Gjenden eshtrat e bashkëshortes së Haki Miskës, e cila është masakruar dhe zhdukur 16 vite më parë nga ky i fundit. Pas arrestimit të tij dy ditë më parë, ai ka treguar përpara policisë për katër vrasjet e kryera prej tij, mes tyre, njëra prej viktimave ishte dhe bashkëshortja e tij, Mimoza Miska, të cilën ai i kishte varrosur në oborrin e shtëpisë. Pas deklarimeve të tij se bashkëshorten e kishte varrosur në oborrin e shtëpisë, forca të shumta policie shkuan në vendngjarje ku zbuluan eshtrat e Mimoza Miskës. Haki Miska ishte dyshuar nga policia qëkur denoncoi zhdukjen e gruas, në vitin 1994, por në mungesë të provave është lënë i lirë për të kryer edhe tri vrasje të tjera, në harkun kohor të 16 vjetëve. Miska ka deklaruar për Policinë e Elbasanit se në vitin 1995 ka vrarë ish-njerkun e tij dhe një fqinj, vrasje këto të pazbuluara. Emri i Haki Miskës doli në skenë vetëm disa ditë më parë, kur ky i fundit u shpall në kërkim nga ana e policisë, pasi masakroi më sëpatë nënën e tij dhe plagosi rëndë vajzën. Prej gati një jave Haki Miska ka qëndruar në arrati, por dy ditë më parë është vënë në pranga nga ana e policisë, e cila kishte lokalizuar vendndodhjen e tij.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›