Biznesi i vogël, borxhlinjve të tatim-taksave do tu sekuestrohet pasuria
Eljona Lata
Biznesi i vogël në kryeqytet, që nuk ka shlyer detyrimet për gjatë vitit 2009, do t’i sekuestrohet pasuria. Ky lajm pohohet për gazetën “Albania” nga Drejtoresha e Financës në Tatim - Taksa, Edlira Sollaku. Sipas saj, është një numër i konsiderueshëm biznesesh që nuk kanë shlyer taksat dhe për pasojë Drejtoria e Tatim – Taksave në Bashkinë e Tiranës ka përgatitur listën me debitorët. Kjo listë tashmë është shpërndarë nëpër disa institucione ku po verifikohet pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme që kanë këta debitorë. Në varësi të borxheve do të operohet më tej në sekuestro të pasurisë. Drejtoresha Sollaku shpjegon gjithashtu se të njëjtin fat do të kenë edhe të gjithë ata që nuk do të shlyejnë taksat për vitin 2010.
Sekuestro
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore duke ju referuar Ligjit Nr. 9632, “Për Sistemin e Taksave Vendore” për mbledhjen me forcë të detyrimeve të papaguara janë bërë njoftimet dhe bllokimet e llogarive bankare për çdo subjekt debitor të ndjekur. Sipas Drejtoreshës së Financave të Tatim-Taksave, Edlira Sollaku, për herë të parë në vitin 2009 është vendosur marrja e masave dhe mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, duke dërguar listën e debitorëve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Automjeteve dhe Zyrës Rajonale të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, për të mos lejuar subjektet apo personat fizikë, të cilët janë debitorë pranë DPTTV-së, të bëjnë transaksione me pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme.
Masat
Sipas të dhënave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore numri i subjekteve likuiduese është 22.038 ndërsa 4901 subjektet e tjera, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet. “Gjatë vitit 2009 nga strukturat e DPTTV është punuar shumë në drejtim të ndjekjes së subjekteve debitorë me qëllim arkëtimin e detyrimeve të prapambetura, duke kryer njoftimin tatimor për të gjithë subjektet taksapagues jo vetëm për vitin buxhetor 2009 por dhe për të gjithë detyrimet e prapambetura gjatë viteve” shpjegoi Sollaku. Sipas kësaj të fundit për këtë arsye janë bërë verifikime në terren për subjektet e Biznesit të Vogël, si dhe kryqëzimin e të dhënave me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Tiranë. Pas verifikimit të kryer nga ana e inspektorëve në terren, rezulton se një numër i madh i subjekteve të biznesit të vogël janë larguar nga vendi i ushtrimit të aktivitetit dhe në disa raste dhe zëvendësuar me të tjerë, figurojnë me qepen mbyllur ose me objekte të prishura, por nuk kanë bërë mbylljen e biznesit në rrugë ligjore duke figuruar si debitorë fiktiv.
Llogaritja e taksës
Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Për çdo kategori minimale të ndërtesave, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nën kategorizime të ndërtesave, që ndodhen brenda territorit që mbulon. Niveli i taksës caktohet në lekë për metër katror. Detyrimi për taksën llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e taksueshme. Në taksat mbi pasurinë e paluajtshme përfshihen:taksa mbi ndërtesat; dhe taksa mbi tokën bujqësore. Për kategorinë e parë "Ndërtesa Banimi" detyrimi paguhet në 2 këste. Kësti i parë paguhet brenda datës 30 Prill, kësti i dytë paguhet brenda datës 30 Shtator. Për kategorinë e dytë "Ndërtesa të Tjera" detyrimi paguhet me 2 këste. Kësti i parë paguhet brenda datës 20 Prill dhe kësti i dytë brenda datës 30 qershor. Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 30 qershor është 30 ditë pas lindjes së detyrimit.
Lehtësirat tatimore
Taksapaguesit, të cilët paguajnë të gjithë vlerën e detyrimit tatimor vjetor brenda datës 30 Prill, përfitojnë si kusht lehtësues reduktimin në masën prej 10 % të vlerës së detyrimit. Taksapaguesit, për ata të cilët paguajnë të gjithë vlerën e detyrimit tatimor vjetor brenda datës 20 Prill, përfitojnë si kusht lehtësues reduktimin në masën prej 10 % të vlerës së detyrimit. Në taksat mbi pasurinë e paluajtshme përfshihen:taksa mbi ndërtesat;taksa mbi tokën bujqësore.
Biznesi i vogël kthehet në problem
Shlyerja e taksave nga biznesi i vogël është bërë problem shqetësues duke rritur kështu deficitin buxhetor në Bashkisë e Tiranës. Sipas Drejtoreshës së Administrimit Financiar, Edlira Sollaku, shkak është bërë procedura ligjore që duhet ndjekur, nëse një biznes vendos të mbyllet. Sipas saj në momentin e falimentit, përveçse duhet të bëjë çregjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duhet të dërgojë një lajmërim në Bashki për mbylljen e këtij biznesi. “Kur një biznes i vogël mbyllet, në disa raste pronari nuk shkon edhe në zyrën e Tatim Taksave për të deklaruar mbylljen e biznesit, kjo ka bërë që procedurat taksative kundrejt këtij biznesi të vazhdojnë pavarësisht se ky biznes është mbyllur” sqaroi për gazetën “Albania” drejtoresha. Sipas Sollakut peshën kryesore të biznesit në kryeqytet e kap biznesi i vogël prandaj dhe ky fenomen është kthyer në problem shqetësues. Sipas të dhënave vlera e përllogaritur nga taksat e bizneseve të vogla ishte menduar të kapte shifrën 1.250.000.000 lekë për vitin 2009 ndërsa të ardhurat nga kjo taksë kapin shumën 78.000.000 lekë. Parashikimi i të ardhurave ka marrë parasysh ecurinë gjatë vitit 2009, shtimin e strukturave të reja si dhe vlerat e munguara të debitorëve. Për vitin 2010, të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të kapin shifrën prej 80.000.000 lekë me një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2009. Duke ju referuar planit vjetor të vitit 2009, të kësaj takse prej 1.250.000.000 lekë, sipas kalkulimeve dhe vëzhgimeve në terren të subjekteve që deri më tani nuk kanë kryer likuidimin e këtij viti, pritet që realizimi të arrijë në 1.125.000.000 lekë ose 90 % e parashikimit vjetor. Gjatë vitit 2009, janë regjistruar pranë QKR-së 3800 subjekte të reja të kategorisë “Biznes i Vogël”, ndërkohë që janë çregjistruar ose pezulluar rreth 2600 subjekte, për pasojë janë vetëm 1200 subjekte që realisht kanë funksionuar si të tilla dhe kanë likuiduar detyrimet e vitit.
16 Shkurt 2010