E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: “Prokurorë, fokusohuni tek hetimi i pasurive të kriminelëve!”



Thimi Samarxhiu

TIRANË - Fokusimi i punës në drejtim të hetimit pasuror, në zbatim të ligjit të ri Antimafia. Kjo ka qenë “porosia” që Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama u ka dhënë prokurorëve të Krimeve të Rënda. Gjatë analizës së kësaj Prokurorie, Kryeprokurorja e ka vënë theksin e saj tek i ashtuquajturi ligji “Antimafia”, por edhe tek bashkëpunimi i ngushtë i organit të akuzës me Policinë e Shtetit për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore.

Analiza
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur ditën e djeshme punën e saj për vitin 2009, ku sipas të dhënave rezulton se për këtë vit janë regjistruar plot 119 procese dhe janë të mbartura nga vitet e tjera 104 procese. Vendin më të madh e zë trafiku i narkotikëve, me rreth 45% të dosjeve. Analiza e të dhënave tregon se, në raport me vitin 2008, është rritur ndjeshëm numri i rasteve të shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Po ashtu, vihet re rënie e dukshme e rasteve të trafikimit të armëve. Tendenca e trafikimit të lëndëve narkotike mbetet gati e pandryshuar, ndërsa vihet re një rënie në rreth 1/3 e numrit të procedimeve për trafikim të qenieve njerëzore.
Sipas statistikave që paraqitura në analizën vjetore u vu re se ka një rritje të numrit të të pandehurve të gjykuar gjatë vitit 2009 në krahasim me një vit më parë. “Gjatë vitit 2009 përfundoi gjykimi në shkallë të parë për 81 çështje (5 më shumë se në 2008-ën), me 215 persona të akuzuar (37 më shumë në krahasim me 2008-ën)” – bëjnë të ditur burimet zyrtare të organit qendror të akuzës.
Një tjetër pikë që ra në sy ishte dhe prirja për dënime më të ashpra për krimet e trafikimit të njerëzve dhe të armëve e municionit. Për trafikimin e lëndëve narkotike, ndërkohë politika e dënimeve rezulton e pandryshuar.
Organi i akuzës shprehet se ka arritur një nga objektivat e vëna në vitin 2009 për eliminimin e zvarritjeve sidomos në hetimet me të arrestuar, por shprehet se një nga problemet më kryesore për vonesën e hetimeve mbeten vonesat ne ekzekutimin e letër-porosive, duke kërkuar dhe ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, e cila është dhe organi kompetent për ekzekutimin e tyre.

Apeli
Së fundi, kryeprokurorja Ina Rama kërkoi nga vartësit e saj që të ndjekin me rigorozitet hetimet e pasurive, gjë që favorizohet edhe nga miratimi i ndryshimeve të ligjit “Anti-mafia” nga Kuvendi i Shqipërisë disa javë më parë. Para disa ditësh zonja Ina Rama dhe stafi i saj zhvilluan një takim me drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ku u diskutua për disa çështje, përfshirë përgatitjen e draftit për Policinë Gjyqësore, bashkëpunimin në luftën e përbashkët kundër krimit, etj.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›