E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zamir Shtylla - tornitori me shkollë nate e shkollë sigurimi që u bë prokuror

Sa të panevojshëm janë këta prokurorë që mashtrojnë ditën për diell për të kaluarën e tyre kriminale, për bashkëpunimin me segmentet më të egra të regjimit dhe për bindjen e tyre të verbër ndaj diktaturës. E njëjta paaftësi kriminale po synon edhe sot të imponohet në rrethin e ngushtë të Ina Ramës Nëse do të bëhej ndonjëherë ndonjë “ustanofkë” e vërtetë për ustallarët e proceseve politike në Shqipëri, të Sigurimit apo sferave të drejtësisë, vërtet do të kishte të papritura për atë që atë që do të dalë nga ky studim. Hetues, operativë, gjykatës, prokurorë, etj, në të shumtën e rasteve do të dalin persona të ardhur nga sferat e prodhimit, siç quhej atëherë nga klasa punëtore, të cilët kishin misionin të çonin më tej revolucionin edhe për shkak të kalitjes revolucionare që kishin marrë. Pa dyshim që e bënin copë edhe atë ligj të kohës. Nuk pyesnin fare. Të rrihnin sa herë t’i tekej. Të bënin gati një proces e të thonin pa u dridhur fare “firmose tani”. Të kalbnin në burg se kishin “plan” për të realizuar, e në fund fare, citonin diçka nga ligjet e kohës. Pretencat e tyre janë fjalime të ndyra politike me Enver, Ramiz, Stalin, Marks e Leninin, ndërsa përfundimet kanë qenë tmerrësisht kriminale. Por siç e thamë edhe më lart, askush prej tyre nuk vinte i kulluar nga sferat e drejtësisë, por nga punishtet ku prodhohej hibridi i njeriut të klasës me shkollën e Sigurimit. Njëri prej tyre është edhe ish-tornitori i kategorisë së katërt i superfosfatit të Laçit, Zamir Shtylla. I lindur më 15 (ose 22) nëntor 1954 në Lubonjë të Korçës, ai shkruante se nuk kishte asnjeri të dënuar nga pushteti popullor. Në vitet 1970-1974, Zamir Shtylla kryen natën shkollën e mesme të përgjithshme. Si militant i klasës punëtore, për të mprehur diktaturën e proletariatit, ai kërkon të ndjekë shkollën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Sauk. Partia i jep dorën se helbete, tornitor i klasës punëtore. Në vitet 1974-1976 ndjek shkollën e Sigurimit. Klasa punëtore njëkohësisht humb nga radhët e saj një prej tornitorëve që premtonin më shumë, industria mekanike gjithashtu ndjeu peshën e largimit, ndërsa prodhimi ra qysh vitin e parë që Shtylla lëvizi prej atij vendi. Filluan letrat për Partinë e pushtetin popullor. “Unë vetë personalisht mbasi mbarova shkollën 8-vjeçare, në vitin 1969, meqë kisha dëshirë të vazhdoja më lart shkollën, erdha me punë në Laç të rrethit Krujës, nxënës në ekonomi në specialitetin tornitor në Uzinën e Superfosfatit, ku sot jam me kategorinë IV. Në punë e sipër kam vazhduar shkollën e mesme të përgjithshme pa shkëputje nga puna, ku këtë vit mbaroj maturën. Në uzinë jam karakterizuar punëtor i rregullt dhe i disiplinuar, jam aktivizuar në probleme shoqërore si në organizatën e rinisë, ashtu edhe në organizatën profesionale. Për punë të mirë jam shpërblyer në të holla dhe me flamur” - është një pjesë nga autobiografia e Zamir Shtyllës e shkruar në Krujë më 4 mars 1974. Zamiri autobiografinë e tij e zbukuronte me fjalët se familja e tij e kishte urryer regjimin e Zogut, se ishte bazë e shëndoshë e “luftës nacionalçlirimtare”, se nga familja e tij asnjë nuk kishte qenë me “organizatat tradhtare”, se shtëpia e tij kishte strehuar Rita Markon, Pilo Peristerin, Medar Shtyllën, ndërsa ai vetë kishte kushëri të parë Behar Shtyllën.


Nga tornitor i dalluar në sigurims i sprovuar


Pasi ka punuar mirë në zanatin e tornitorit, e ka marrë kategori të admirueshme për moshën që kishte, sekretari i organizatës bazë të partisë Ismet Kazani i bën një biografi pozitive Zamirit, duke e mbyllur me fjalët: “Ka garanci të mirë politike”. Për shkakun se ai vinte nga tabani i përcaktuar klasor, kryetari i degës së punëve të brendshme Laç, Hamit Myhyrdari dhe kryetari i komitetit ekzekutiv Hamit Taga, e vlerësojnë më 3 korrik 1974 Zamir Telha Shtyllën si “djalë të shkathët, i vendosur dhe besnik për t’u bërë kuadër i denjë i organeve dhe reparteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, duke rekomanduar që ai të ndjekë shkollën në profilin e sigurimit. Pasi e kryen këtë shkollë për 2 vjet, Zamir Shtylla kryen praktikën në degën e punëve të brendshme të Librazhdit. Sekretari i organizatës bazë të partisë Petref Shatro shkruan se gjatë praktikës në atë qytet më 1976, Zamiri kishte treguar se punën në Sigurim e kishte “me pasion” dhe se i kishte të gjitha mundësitë të ishte një “kuadër i vlefshëm për Sigurimin”. Po në këtë kohë ai fillon punë si punëtor operativ i Sigurimit, siç edhe ishte profili i tij, por shpejt vihet në dispozicion të hetuesisë. Karakteristikat e tij si hetues i shkruan sekretari i organizatës bazë të partisë, Zylyftar Ramizi. Në 4 shkurt 1980 pranohet kandidat i Partisë së Punës dhe më 5 shkurt 1983 vjen dita e lavdishme, bëhet anëtar i saj. Menjëherë pasi u mpreh për të dërrmuar armiqtë e klasës, partia e dërgon hetues në Berat, e më pas drejtor të Hetuesisë së Sarandës. Duke qenë në Berat, ai kërkon në vitin 1980 të vazhdojë Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës pa shkëputje nga puna (hetuesia). Vitet ’80, janë vitet kur dhjetëra “armiq të klasës” kaluan jo nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet Zamirit në procese politike të pamëshirshme, ndërsa paralelisht rritej me korrespondencë juristi që e nisi tornitor e vazhdoi, operativ, hetues e po vazhdon në demokraci të bëjë akoma prokurorin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›