E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Bajramit, bastisen tre arka në xhamitë e Shkodrës

SHKODËR - Tre xhami kanë rënë pre e hajdutëve, dy-tre ditë pas festës së Fiter Bajramit, kur arkat ishin mbushur plot me para nga besimtarët e fesë islame. Punonjësit e kulteve fetare edhe pse konstatuar vjedhjen në shuma të konsiderueshme nuk kanë bërë denoncim në polici.


Në harkun kohor të dy ditëve, pikërisht të martën dhe të mërkuren, është konstatuar vjedhja e parave që lihen në arkat përkatëse në xhamitë e lagjeve Kiras, Parrucë dhe Bahçallek të qytetit të Shkodrës. Kanë qenë kujdestarë të këtyre objekteve dhe besimtarë që kanë konstatuar se paratë në arkat e veçanta ishin marrë. Në xhaminë e lagjes Kiras është konstatuar se arka që kishte brenda afro 30 mijë lekë ishte e boshatisur. Një ditë më parë, janë vjedhur dhe paratë në arkat e xhamive të Parrucës dhe Bahçallekut, ndërsa autorët janë akoma të paidentifikuar.


Arkat vendosen tek dera e objektit dhe aty sipas dëshirës hidhen lekë. Ndërsa objektet e kultit nuk kyçen dhe rrinë të hapura gjithë kohës. Mësohet se janë bërë denoncimet përkatëse në polici por kjo nuk thuhet zyrtarisht, ndonëse pohohet se vjedhjet kanë ndodhur. Dyshohet se autorë të këtyre vjedhjeve janë adoleshentë të cilët kanë hyrë gjatë ditës në objektet e kultit kur aty nuk ka besimtarë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë të organizuar nga persona të tjerë të rritur, që qëndrojnë jashtë ambienteve ku është realizuar vjedhja. Gjatë ditës së Fiter Bajramit, nëpër xhami lihen shuma të konsiderueshme parash nga besimtarët.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›