E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Greqisë, radhën e ka Italia?

Ndërkohë që Greqia duket pranë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike të brendshme dhe pranimit të planit financiar të shpëtimit nga Bashkimi Evropian, Italia duket gjithmonë e më pranë një krize ekonomike.

Borxhi i madh i Italisë dhe shqetësimet mbi qëndrueshmërinë politike, e rritën normën e interesit të bonove të saj në më tepër se 6,5 për qind.

Kjo e vështirëson mundësinë e qeverisë italiane për të marrë para borxh, për të financuar operacionet dhe për të paguar këstet e borxhit të tanishëm.

Ekspertët thonë se nëse norma e interesit do të shkonte në 7 për qind, vendi nuk do të mund ta përballonte dhe do të kishte nevojë për një plan shpëtimi prej partnerëve të Bashkimit Evropian.

Problemi është, thonë ekspertët, se Italia është shumë e madhe për një plan të tillë.

Ekonomisti i Qendrës për Reformat Evropiane në Londër, Simon Tilford thotë se Banka Qendrore Evropiane duhet të ndërhyjë, diçka kjo që zyrtarët e saj të lartë nuk duket të duan ta bëjnë.

“Problemi është se ne jemi në një periudhë me rritje ekonomike jashtëzakonisht të ulët. Jemi duke përjetuar një dobësi ekonomike të paprecedent. Dhe kjo situatë, kërkon ndërhyrje jo-tradicionale nga ana e bankave qendrore”, tha Tilford.

Ai thotë se nëse Banka Qendrore do të blinte bono italiane, ajo do t’i jepte edhe investitorëve të tjerë siguri për të bërë të njëjtën gjë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›