E Enjte, 5 Nëntor 2026

Pas Ramës, edhe ministri i Drejtësisë kritika ndaj SPAK: Përse nuk hetoni Berishën? Nëse “non grata” është i pafajshëm, na e thoni

Pas kryeministrit Edi Rama, edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka drejtuar një seri akuzash ndaj SPAK-ut, në lidhje me Sali Berishën. Zoti Manja deklaroi se SPAK-u nuk ka pse heziton që të hetojë për një sërë akuzash që rëndojnë mbi ish- kryeministrin Berisha, duke filluar që nga vrasjet e “21 janarit”, ‘Gërdeci”, etj. 

“Ai zotëria i shpallur “non grata”, si kalorës i korrupsionit dhe kundër demokracisë nga aleati jetik i vendit dhe kombit tonë, nuk është problemi i Amerikës, por i Shqipërisë. Shqiptarët meritojnë të dinë si qëndron drejtësia e re në raport me këtë çështje të rëndë për shtetin shqiptar, të cilën Qeveria Amerikane e ka thënë shumë qartësisht se u takon institucioneve shqiptare ta hetojnë dhe ta gjykojnë! Zotëria është i famshëm për karshillëkun e tij ndaj ligjit dhe organeve të drejtësisë, të cilave u ka përplasur deri edhe derën në fytyrë, duke penguar ekzekutimin e urdhërave të tyre pas vrasjes së katër qytetareve në bulevard. Nuk është thirrur megjithatë kurrë nga organet e drejtësisë, as për ato vrasje, as gjithë atë shpërthim kriminal municionesh që hodhi në erë qindra shtëpi e mori dhjetra jetë njerëzish, as për të tjera skandale korruptive marramendëse, ku mbiemri i tij ka qenë qershia mbi tortën e babëzisë!”, deklaroi Manja.

 Sipas tij, Berisha jo vetëm nuk është pyetur kurrë nga organet e drejtësisë deri më sot, por e sfidon vetë sensin e drejtësisë, duke anatemuar deri institucionet e reja të drejtësisë.

 “Unë vërtetë kam një karrierë të tërë në prokurori, po këtu as nuk po bëj prokurorin, as po ngre akuza! Nuk po bëj as gjykatësin dhe as po shpall fajtorë. Por po bëj hapur, troç, me zë të lartë, atë pyetje që bëjnë shqiptarët prej kaq shumë vitesh dhe sot edhe më shumë se dje, qëkur ndodhi shpallja “non grata” e Sali Berishës: Ore kur do hapen nga drejtësia e re petët e lakrorit të këtij njeriu që e ka pasur okllainë e pushtetit në dorë kur kanë ndodhur gjëmat dhe skandalet më të mëdha në këtë vend?! Nëse është i pafajshëm, siç ulërin me të madhe, dhe një dynja e gjitha, bashkë me vetë shtetin amerikan kanë lajthitur deri në pikën që t’i bien në qafë një plaku qelibar, atëherë le të na e thotë pra drejtësia e re këtë!”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›