Vetëvrasja e Ilvi Metës në komisariatin e Kavajës, Duma- Çuçi replika në Kuvend

Deputetja e PD Grida Duma, ka ngritur sot pasdite në Kuvend, çështjen e vetëvrasjes së Ilvi Metës, në komisariatin e Kavajës. Ajo nxori dy foto të qelisë, ku duket edhe lidhësja e bluzës me të cilën dyshohet se Ilvi Meta u vetëvar. Duma tha se nuk ka nevojë për ekspertizë, por me sy të lirë mund ta kuptosh se kjo gjë zor se mund të ndodh. Deputetja e PD-së, i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Komisariati që duhet të sigurojë jetën, përfundoi që një i ri të vrasë veten brenda Komisariatit. Duhet të merrni përsipër dorëheqjen tuaj. Së dyti, thashë do të respektoj hetimet. Po fakti që Avokati i Popullit thotë që ka raste të përsëritura, ku një i ri kapet dhe ka qenë në depresion, edhe pse familjarët nuk e pranojnë, po ju pyes ju, sepse askush nuk me jep asnjë përgjigje”, tha Duma.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i është përgjigjur deputetes Duma, i cili tha në fjalën e tij se nuk ka asnëj aludim për këtë ngjarje, pasi është nisur hetimi për përgjegjësit në komisariat.
“I kemi shkuar deri në fund, së bashku me AMP, për të nxjerrë përgjegjësitë që ka pasur trupa e Policisë së Shtetit në komisariatin e Kavajës, deri në neglizhencën që ata kanë bërë, që kanë sjell ngjarjen fatale. Nuk ka asnjë aludim që të hedhë dyshime për ngjarjen, as nga prokuroi, as nga hetuesit, as nga mjekët ligjor. Meqë përmende edhe Avokatin e Popullit, kanë qenë dy përfaqësues që kanë bërë inspektimin e dhomave të ndalimit. Ju ftoj të lexoni edhe raportin e Avokatit, ku thuhet se ato dhoma janë plotësisht në përputhje me standarde ligjore. E nderuar deputete, u bëj thirrje e që jo vetëm ju, por të gjithë bashkë të përpiqemi se të largohemi nga kjo retorikë politike”, tha Çuçi.
/rtsh.al/