E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Ruzhdies, kush e ka radhën në hartën e mashtrimeve?

Ku gjendet ky populli opozitar? Vërmiku mund të jetë epiqendra e ardhshme e protestave të popullit opozitar. Vërmiku është fshat në thellësi të maleve. Mirëpo aty, sipas ca zërave u vodhën të gjitha votat. Vërmiku ka sot nja dy banorë. Mirëpo është mirë që të promovohet nga opozita. Të promovohet sepse Vërmiku iku i gjithi në qytet, që në kohë të kohës. Vërmiku eshtë mirë të promovohet se atje ku nuk kishte kuti, kishte edhe manipulim. A dëgjon fshatari sot nga kambana që i bie opozitës? Ky popull opozitar nga është?, më pyeti një fshatar i rrëzës së përtejme. Duhet të jetë nga Ruzhdia ose diku ku ta caktojë bashkëpronari legjitim i PS, Ruçi. Nëse edhe këtë e pranon pronari i PS, precedenti duhet shqyrtuar me vëmendje.

Bastionet fituan ngushtësisht/Kur flitet për manipulim duhet kuptuar një gjë qartësisht: Ku i ka strehët e saj PS-ja? Historikisht është njohur në jug. Që nga viti ‘94 e në vijimësi në jug PS ka pasur bastionet e veta. Dhe deri-diku rezultati aty ishte 6-4. A e keni dëgjuar ndonjëherë Ruzhdien si bastion të PS? Në 20 vjet asnjëherë. Atëherë si u bë Ruzhdia? Ruzhdia u gatua nga socialistët për të qenë premisë për bombën e bashkëpronarit të PS. Ruzhdia lindi e këtillë për t’u dëgjuar më vonë. Tek ato ferra, socialistet paten nevojen te pillnin “lepurin e manipulimit”. Ruzhdia është një fshat që në këtë stinë ka hallet e veta, me punët e ngarkuara të periudhës. A ka kohë Ruzhdia të merret me marifetet e Ramës e Ruçit, që të sjellin belanë dhe ta lënë në derë? A do t’i pranojë Ruzhdia gënjeshtrat e nastradinëve të PS? Kur PS-së iu rrëzuan bastionet, u shpik Ruzhdia. Mundet që nesër të pillet Vërmiku, nëse është në agjendën e bashkëpronarit të partisë.

Pse shpikën Ruzhdien dhe jo Salarinë/Salaria është fshati për të cilin një gazetë e kohës ka shkruar një reportazh, fshati që nxori Selam Musanë dhe Gramoz Ruçin. Nëse i pari u hodh mbi telat me gjemba, i dyti mundohet t’i prodhojë këto tela me gjemba. Përse socialistët nuk e quajtën Salarinë si fshatin e manipulimit, por Ruzhdien. Për ta bërë hazër një vjedhje kutish, ata ndërtuan gjithë infrastrukturën e vjedhjes. Përgatitën me imtësi gjithshka, deri edhe kohën apo momentin kur komisionerët do të braktisnin detyrën. Salaria dihej që do të kuptohej, kështu njeriu i Salarisë ndërtoi Ruzhdien për ta përdorur si alibi. Ku ishte Ruzhdia, fshati që u mbajt edhe ende mbahet në gojë nga socialistët dhe gjithë infrastruktura mediatike e saj deri në shkurtin e 2010? Si ishte e harruara e madhe e gjashtë muajve? Si ka mundësi që Ruzhdia nuk u përmend për asnjë çast në protestat e përgjumura të socialistëve në dimrin që shkoi? Sa kohë do të zgjasë historia Ruzhdie nëpër faqet mediatike të majta.

Pas Ruzhdies, kush e ka radhën ne hartën e mashtrimeve?/Meqë lojërat e PS njihen, ose lehtësisht të lexueshme janë, pyetja është: pas Ruzhdies kush e ka radhën? Mos vallë Vërmiku ynë? Po qe e thënë kjo, do t’i lutesha pronarit të Partisë Socialiste me këtë fjalë: Ne emër të plotfuqishmit, në emër të mëhallës tonë, në emër të gjithfarë njohjeve, mos e bëjë këtë! Jo për gjë, por kushedi se çfarë biçimi mund t’i shpikësh? Ti dhe infrastruktura jote mediatike do të thoshte: “Vërmiku ynë, kazani ku u gatua humbja më e madhe elektorale. Vërmiku ynë thellësisht i indinjuar nga humbja. Vërmiku ynë heroik e pësoi keqazi nga qeveria mafioze që i mbushi kutitë.

Në të vërtetë fshati ka pak banorë por kurrsesi s’ka vota. Mirëpo ku i dihet se çfarë intrige ka përgatitur selia rozë. Kujt në të vërtetë i është shënuar emri, cilit nga fshatrave tanë i është shpuar veshi?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›