E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Organizata Botërore e Frankofonisë në dyzetvjetorin e saj

Me termin “frankofon” emërtohet ai që flet frëngjisht. Për shkaqe historike, sociale dhe kulturore që nuk është vendi t’i rendisim hollësisht, që në lashtësi gjuha frënge i kapërceu kufijtë e Francës, ku u formësua si njëra nga tri-katër gjuhët më të njohura neolatine. Në mesjetë, ajo i kapërceu edhe kufijtë e Europës, duke “pushtuar” treva të ndryshme të Kontinentit të Ri, të Afrikës, si edhe të shumë ishujve të Atlantikut e të Paqësorit. Deri tëhu mesit të shekullit të kaluar, frëngjishtja kishte përparësi si gjuhë e kulturës, e përdorur rëndom në marrëdhënie ndërkombëtare, diplomatike, politike, ekonomike etj

Më 20 mars 1970, u formua Organizate Botërore e Frankofonisë nga 21 vende frëngjishtfolëse. Themelet e saj u hodhën në Niamej, kryeqytet i Nigerit, një vend i Afrikës Subsahariane (jo Nigeria, që shtrihet më në jug-perëndim, në brigjet e Gjiut të Guinesë). Në fillim, Organizata u emërtua Agjencia e Bashkëpunimit Kulturor e Teknik, deri që mori emrin e sotëm, në vitin 2005.

Të shtunën e kaluar, Frankofonia festoi dyzetvjetorin e themelimit. Ajo grupon sot 70 shtete me dyqind milionë frëngjishtfolës, ndër të cilët afro njëqind e tridhjetë milionë folës aktivë. Më shumë se 96 milionë, numërohen në Afrikë. Por, siç vë në dukje shtypi i këtyre ditëve, kontinenti afrikan nuk mund të konsiderohet si rezervuari i mirëfilltë për të ardhmen e gjuhës frënge, ngase fëmijët e mësojnë në shkolla si gjuhë të dytë dhe jo në mjedise të familjes. Rrjeti televiziv belg RTBF, në faqen e tij të teletekstit e këqyrte gjendjen e sotme të gjuhës frënge si “gjysmë-fik, gjysmë-rrush”, domethënë as mirë, as keq.

Nga njëra anë, - vinte në dukje rrjeti televiziv në fjalë - frëngjishtja vazhdon të përparojë falë zhvillimeve demografike në Afrikë, nga ana tjetër gjuha e Molierit po ndrydhet në institucionet ndërkombëtare duke u zbehur gjithnjë e më shumë në botë ekonomike. E nënta në radhë ndër më të folurat gjuhë të botës, frëngjishtja është në ndrydhje e sipër edhe në nivelin e Bashkimit Europian. Ndërsa më 1994 40,4% e dokumenteve zyrtare të BE-së hartoheshin në gjuhën frënge, në vitin 2003 kjo shifër ra në 28%, për t’ia lënë përparësinë gjuhës angleze. Parashikimet flasin për një shifër edhe më të ulët (25%) gjatë vitit në vazhdim. Megjithatë, frëngjishtja është e treta idiomë (bashkësia e mënyrave të shprehjes në një fushë të caktuar) me 5% në faqet web të internetit, pas anglishtes dhe gjermanishtes, përkatësisht me nga 45% dhe 7%.

Në Shqipëri, siç dihet, gjuha frënge dhe gjuhët e tjera perëndimore kanë qenë mësuar në shkolla përpara vitit 1944. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, ato u hoqën nga programet shkollore për t’u zëvendësuar, së pari, me serbo-kroatishten dhe, më pas, me rusishten.

Historikisht , shqiptarët i kanë pasur të hershme takimet e para me gjuhën frënge, qysh nga koha e Normanëve, në shekullin XI, të Anzhuinëve, në shekullin XII, dhe, dora-dorës, deri kur u hap i famshmi Lice Francez në Korçë, më 1917. Sipas Prof. Dr. Uran Asllani (“Studentët shqiptarë të Francës dhe veprimtaria e tyre”, Tiranë 2003), “në vitin 1936 numëroheshin 550 liceistë, nga të cilët vetëm 197 studentë kishin marrë bakaloreatin (gradë universitare që akordohej vitin e nëntë, pas mbarimit të tetë viteve të Liceut, E.B.). Më 1939, kur Liceu u mbyll nga italianët, aty, asokohe, ishin bakaloruar 256 liceistë, prej të cilëve mbi 105 kishin studiuar në Francë, pra 40% e studentëve.”

Në nderim të babait tim, Dr. Fiqret Babani, larguar nga kjo jetë në prill të vitit 1983, ia vlen të sjell këtu një nga kujtimet e tij që lidhej me nivelin e studentëve shqiptarë që bakaloreoheshin në Liceun e Korçës. “Në universitetet e Francës, kujtonte im atë, vetëm studentët që kishin mbaruar Liceun e Korçës, pranoheshin pa kryer studime plotësuese njëvjeçare për të mësuar gjuhën frënge. Integrimi ynë në botën universitare, si edhe në jetën e përditshme ishte i menjëhershëm.”

Jo më kot, studentët shqiptarë në Francë thërriteshin asohere prej vendësve “les petits parisiens” (parisianët e vegjël).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›