Pas Tiranës, Pirandello edhe në Vlorë
Pas Teatrit Kombëtar në Tiranë me “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” të Luigi Pirandellos, edhe Teatri i Vlorës ka zgjehur një komedi të po këtij autori për ta ngjitur në skenë. Aktori dhe regjisori Albert Verria, pas një periudhe heshtjeje, i është kthyer skenës me komedinë “Mashtruesi çeço”, premiera e së cilës është mbajtur ditën e shtunë në teatrin “Petro Marko”. Sallës së Teatrit të Vlorës nuk i kanë munguar spektatorët e shumtë, të cilët kanë shijuar momentet e bukura dhe argëtuese të komedisë. Sa i përket autorit të kësaj vepre, regjisori Verria ka cituar një shprehje të regjisorit të njohur italian me origjinë arbëreshe, Antonio Gramshi, i cili thotë se “pjesët e Pirandellos janë bomba dore, që shpërthejnë në mendjen e spektatorëve dhe shkaktojnë përmbysje ndjenjash dhe mendimesh”. Trupa e aktorëve që interpretoi në komedinë e Pirandellos nën drejtimin e Albert Verrisë janë Jorgaq Tushe, Ilirian Ali, parodisti Afrim Agalliu si dhe Ivana Metaj. Pas shfaqjes, spektatorët kanë shprehur kënaqësinë që në skenën e Teatrit të Vlorës është vënë një komedi ku regjisori dhe aktori vlonjat, Verria, ka qenë protagonist pas një periudhe të gjatë mungese.
#