Rama, asnjë polemikë me qeverinë
Në një ditë të diel me diell, ku pjesa më e madhe e qytetarëve pushojnë dhe argëtohen, as kryetari i bashkisë nuk ka preferuar ta prishë këtë atmosferë. Edhe pse debatet dhe diskutimet për sheshin janë bërë temë e ditës, sherri e shamata kanë marrë udhën, as prezantuesit e fazës së dytë të punimeve e as përfaqësuesit e qeverisë nuk e kanë “prishur” gojën. Rama nuk ka dashur të polemizojë me qeverinë pas deklaratave publike të disa ministrave për ndërprerje të punimeve. “Nuk dua të hyj në asnjë polemikë e kam thënë qysh në krye të herës dhe e përsëris, ky është një projekt madhështor, ambicioz, i ndërlikuar dhe këtu duhet bashkërendimi i të gjitha forcave. çdo energji negative dhe destruktive nuk është në të mirën e kësaj pune, që unë e konsideroj një punë të përbashkët. Nuk kam asnjë arsye pse të bëhem pjesë e një polemike të ditës, që fillon me ditën dhe mbaron me ditën”, tha Rama.
Ndërkaq, ai ka kërkuar bashkëpunim me të gjitha strukturat bashkërenduese, duke sqaruar se ndryshimi i rrugëve të qarkullimit do të bëhet me faza, nuk do të ketë një bllokim të menjëhershëm dhe tërësor të sheshit, sepse kjo do të dëmtonte seriozisht të gjithë rrjedhshmërinë e trafikut në Tiranë dhe do ta bënte praktikisht të pamundur qarkullimin. është një ndryshim që do të fazohet pjesë-pjesë, në koordinim të plotë me Policinë Rrugore, e cila ka të gjithë eksperiencën, por edhe disponibilitetin për ta garantuar këtë proces. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, është një domosdoshmëri për të bërë të mundur që punimet të vazhdojnë të kryhen, me një ritëm të lartë dhe njëkohësisht rrjedhshmëria e trafikut të mos pengohet, në masën që ta bëjë të pamundur qarkullimin rreth sheshit.
#