E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas amnistisë fillon kontrolli i Tatimeve

Ashtu siç kishin paralajmëruar Ministria e Financave dhe organet tatimore për nisjen e kontrolleve në biznese pas përfundimit të amnistisë, aksioni në terren ka startuar. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bëhet me dije se gjatë muajit prill Drejtoria e Hetimit Tatimor, e mbështetur nga strukturat e kontrollit operacional të disa drejtorive rajonale dhe inxhinierë ndërtimi, kanë ushtruar kontroll në një sërë subjektesh që kanë aktivitet në fushën e ndërtimit në Tiranë. Në sitë kanë kaluar 21 subjekte, ku kryesisht nga ana e tatimorëve rëndësi i është kushtuar dokumentacionit fiskal në lidhje me regjistrimin e subjekteve para fillimit të aktivitetit, deklarimin e punonjësve në skemën e sigurimeve, deklarimin e nivelit të punimeve. Administrata ka kërkuar informacion të detajuar teknik lidhur me pikën e fundit për të bërë edhe krahasimin mbi atë çka subjekti ka deklaruar dhe asaj çka realisht është ndërtuar, për të shmangur kështu abuzimet e mundshme. Kontrollet e ushtuara nga DPT janë shoqëruar edhe me penalitete për kompanitë që nuk kanë pasur dokumentacionin e paraqitur dhe të kontrolluar sipas kërkesave të ligjit. Nga Drejtoria e Përgjithshme bëhet me dije se kontrollet do të vijojnë për të gjitha kompanitë e ndërtimit që operojnë në qarkun e Tiranës, por edhe në drejtoritë rajonale. Nga ana tjetër, kjo nismë argumentohet me luftën kundër evazionit si dhe formalizimin e ekonomisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›