E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas debatit me ministrin, dështon takimi i Kserës me invalidët

Dështon tryeza e mbledhur nga ministri i Punës, Spiro Ksera dhe përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuara. Takimi konsultativ u thirr në mbyllje të procesit të Ratifikimit të Konventës së OKB-së për të drejtat e kësaj kategorie. Këshilli kombëtar  që përfaqëson këto kategori bojkotoi takimin, ndërsa grupet e tjera të interesit kundërshtuan ndryshimet e bëra në ligjin që trajton me një skemë të re këto kategori. Nuk kanë munguar debatet e forta mes palëve, e madje edhe akuzat për kërcënime nga ministri. Mos u tall me fatkeqësinë tonë. Na ke bërë shumë premtime dhe nuk ke mbajtur asnjë. Tani do të na heqësh edhe patericat, u shpreh kryetari i Shoqatës së Para e Tetraplegjikëve Tiranë, Ali Plaka. Përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuara e kanë cilësuar si takim me hile tryezën e djeshme, duke deklaruar se ministri kishte ftuar individë dhe kompani të cilat nuk kanë asnjë lidhje me këto shtresa. Sipas tyre, jo të gjitha kategoritë duhet të përfshihen në të njëjtën skemë trajtimi, pasi secila nga to ka specifika të ndryshme. Pas debateve të forta, Ksera më kërcënoi se do të hiqte statusin e paraplegjikut, se unë nuk e meritoja atë dhe se vazhdon ta kesh se më  do qejfi mua ta lë, u shpreh pas takimit kreu i Shoqatës, Ali Plaka. Ndërkohë që drejtoresha e Shanseve të Barabarta pranë Ministrisë së Punës, Ilda Bozo, ka sqaruar se hartimi i këtij ligji është një detyrim i kërkuar nga Bashkimi Europian dhe, për pasojë, ai do të përfshijë të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Jemi të detyruar të ndërhyjmë në ligje të ndryshme, me qëllim që këto ligje ti përputhim me parimet e Konventës, duke pasur parasysh që disa nga parimet themelore të Konventës janë njohja e barabartë para ligjit, që ka të bëjë me vendosjen në mënyrë të barabartë të të gjitha grupeve brenda aftësisë së kufizuar të kenë një nivel të barabartë para ligjit, tha Ilda Bozo.

Këshilli Kombëtar
Këshilli Kombëtar i personave me aftësi të kufizuara do të dalë në një deklaratë për të treguar mbi arsyet e bojkotimit të kësaj mbledhjeje dhe në anën tjetër pritet të ketë diskutime më të gjera rreth ligjit Për statusin e të verbërve, para dhe tetraplegjikëve, që sipas invalidëve, përkeqëson jetesën e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›